Bota
Statuja e Lirisë, Franca kërkon të marr dhuratën që bëri, reagon SHBA

Eurodeputeti francez, Raphaël Glucksmann ka bërë një kërkesë të pazakontë ndaj Shteteve të Bashkuara duke sugjeruar që Franca të marrë mbrapsht Statujën e Lirisë, me argumentin se Amerika nuk përfaqëson më vlerat për të cilat kjo dhuratë u ofrua nga populli francez në vitin 1886.
Glucksmann, i njohur për mbështetje të fuqishme ndaj Ukrainës, ka kritikuar ashpër politikat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe veprimet e tij që ai i konsideron si një tradhti të vlerave demokratike.
“Amerikanëve që kanë zgjedhur të qëndrojnë në anën e tiranëve dhe të shkelin liritë themelore, u themi: na ktheni statujën”, ka thënë ai gjatë një konference në Paris, duke shtuar se monumenti duhet të kthehet në shtëpi.
Gjatë konferencës për gazetarët, Caroline Levitt u pyet për komentet e eurodeputetit francez Raphael Glucksmann, i cili bëri thirrje që Statuja e Lirisë t’i kthehet Francës, sepse, siç tha ai, Shtetet e Bashkuara nuk mishërojnë më vlerat që përfaqëson statuja.
Përgjigja e zëdhënëses ishte se Shtetet e Bashkuara “në asnjë rrethanë” nuk do ta kthenin statujën, teksa iu drejtua politikanit që bëri komentet si një “politikan francez të rangut të ulët”. Ajo tha gjithashtu se “është vetëm për shkak të SHBA-së që francezët nuk flasin gjermanisht sot.”
“Ata duhet të jenë shumë mirënjohës për vendin tonë të madh”, shtoi zëdhënësja, duke iu referuar pushtimit gjerman të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Franca u çlirua me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe forcave të tjera aleate në vitin 1944.
Glucksman kishte qenë i hapur në kritikat e tij për trajtimin e Ukrainës nga Presidenti Trump dhe shkurtimet e tij në Departamentin e Arsimit.
“Ne do t’u themi amerikanëve që zgjodhën të anonin me tiranët, amerikanëve që pushuan studiuesit për kërkimin e lirisë shkencore: “Na ktheni Statujën e Lirisë”, tha ai.
“Ne jua dhamë si dhuratë, por ju e përbuzni atë. Kështu që do të jetë mirë këtu në shtëpi”, shtoi ai.
Statuja e Lirisë, e projektuar nga francezi Auguste Bartholdi dhe e dhuruar nga Franca në vitin 1886 në 100-vjetorin e Pavarësisë amerikane, ka qenë një simbol i miqësisë dhe vlerave të përbashkëta mes dy kombesh.
Glucksmann e ka lidhur këtë kërkesë me politikën e Trump për të kufizuar liritë akademike dhe shkencore në SHBA, duke shtuar se ai dhe shumë të tjerë tashmë janë të shqetësuar për shkeljet e lirisë intelektuale në SHBA.
Për më tepër, Glucksmann i është kundërvënë masave të Trump që kanë prekur institucionet kërkimore të vendit, duke theksuar se shumë studiues dhe intelektualë mund të largohen nga SHBA për të punuar në Francë, ku do të kenë mundësi të zhvillojnë punën e tyre pa pengesa.

