Connect with us

Aktualitet

“Sterilizimi”/ Biznesmeni Ilir Rrapaj humbet ndjenjat gjatë seancës

Gjyqtarja Flojera Davidhi, i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të rikualifikojë akuzën për ish-ministrin Beqaj, ish-zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, pasi i akuzoi për “vjedhje me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, sipas nenit 134 të Kodit penal. Kërkesa e saj u pranua nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj ka humbur ndjenjat gjatë seancës pasi dëgjoi rëndimin e akuzave.

Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë teksa dëgjoi rëndimin e akuzës ndaj tij pyeti trupën gjykuese se ku janë lekët.

“Më ngritët një akuzë tjetër, po ku janë lekët?”- ka thënë Beqaj.

Gjyqtarja Davidhi tha se për gjashtë të akuzuarit e tjerë do të qëndrojnë në fuqi akuzat e ngritura nga SPAK dhe konkretisht shpërdorim detyre dhe falsifikim i dokumenteve. Të akuzuarit e tjerë janë Naile Abazi, Genc Burazeri, Arben Gjata, Petref Mersini, Saimir Kadiu dhe Marsela Serjani.

Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të ‘check up’ po e heton prokurorja Elida Kaçkini.

Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë. Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit. 

Advertisement