Connect with us

Politike

‘Sterilizimi’/ Biznesmeni Rrapaj dëshmon: Beqajn s’e njoh, me Rjepajn ndaj “rezidencën”

Biznesmeni Ilir Rrapaj po dëshmon në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi. Aktualisht, Rrapaj po merret në pyetje nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi. Gjatë dëshmisë së tij, ai u shpreh se me Klodian Rrjepajn është njohur në vitin 2014, por tani e ka njohur mjaft mirë pasi ndodhen në të njëjtën qeli. Në lidhje me komunikimin me ish-zv.ministrin ku i referohet si “fratello”. Këtë term, Rrapaj e shpjegoi se e kishte prej faktit se ishte nga Vlora, dhe “fra-vëlla”, është një shprehje që përdoret shpesh.

PJESË NGA DISKUTIMET: 

Ilir Rrapaj: Nuk kam asnjë deklaratë për të bërë. Ndoshta gjatë marrjes në pyetje do të lindë nevoja për të bërë komentet e nevojshme.

Albana Vokshi: Cili është profesioni juaj?

Ilir Rrapaj: Sipërmarrës! Vij si një student i shkollës së mesme mjekësore në Vlorë dhe student i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Kam shkuar në Itali për një akses në vazhdimin e formimit tim akademik. Por falë inciativës time sipërmarrëse, u mundova që të mos i qëndroja larg këtij sektori.

Albana Vokshi: Me çfarë jeni marrë para se të bëheshit pjesë e Sterilizimit?

Ilir Rrapaj: Kam qenë i dyzuar që të ushtroja një aktivitet sipërmarrës në Umbria, apo të isha pranë shoqatave sektoriale.

Albana Vokshi: Çfarë sipërmarrje keni pasur?

Ilir Rrapaj: Deri në vitin 2009 kam pasur një biznes me shërbime ndërtimore. Isha ortak i vetëm, por e kam ndarë më pas me persona të tjerë.

Albana Vokshi: Me çfarë kapitali e keni hapur?

Ilir Rrapaj: Nuk më kujtohet! E kam hapur në vitin 2000, e nisa me 1 dhe ka kaluar në mbi 30 persona të punësuar nga kompania.

Albana Vokshi: Sa ka qenë xhiro vjetore?

Ilir Rrapaj: Jam i emocionuar që të jem sa më ezaurues në përgjigjet që jap. Kam qenë me vite të ndryshme në varësi nga merkatoja. Ka pasur vite me nga 100 mijë euro, ka pasur vite me mbi 1 milion euro.

Albana Vokshi: A keni pasur eksperiencë në fushën e shëndetësisë?

Ilir Rrapaj: Kam pasur eksperiencë formative. Kam nostalgji për kohën që kam pasur kur kam bërë këtë udhëtim në fushën e shëndetësisë. I pashërueshëm asnjëherë udhëtimi në emigracion ka qenë domosdoshmëria që t’i vendosja garza ëndrrave të parealizuara. Kam kultivuar nëpërmjet formës së sipërmarrjes që të jem pranë sektorit të Shëndetësisë.

Albana Vokshi: E njihni Klodian Rrepaj?

Ilir Rrapaj: Deri në gusht 2024 kisha dijeni se kush dhe çfarë ishte. Kam kaq muaj që ndaj të njëjtën ‘rezidencë’ dhe tani mund të them se e njoh. Fjala mik ka një përkufizim të veçantë. Të jesh mik është diçka e rrallë, por fatkeqësisht kam bindjen që ky term është termi më i abuzuar. Nuk kam pasur asnjëlloj miqësie dhe njohje me të. Përkundrazi më etiketojnë me njohje të thellë me të. Udhëtimi im është totalisht i ndryshëm dhe i largët nga zotëria në fjalë.

Avokati i Rrapajt: Kjo pyetje është bërë pjesë e akuzës. Sepse organi i akuzës i thotë se keni pasur njohje në Vlorë. Kështu është ngritur akuza nga SPAK

Ilir Rrapaj: Nuk e kam njohur edhe pse në një qytet.

Albana Vokshi: Kur e keni takuar për herë të parë?

Ilir Rrapaj: Në një aktivitet publik të organizuar nga qeveria shqiptare. Diku nga viti 2014. Kemi folur për komplimenta për karrierën dhe vendin që kishte marrë.

Albana Vokshi: Si u vutë në dijeni për sterilizimin?

Ilir Rrapaj: Nga një prej ortakëve.

Albana Vokshi: Ato emailet “fratello”, “fra”…?

Ilir Rrapaj: Jam me origjinë nga Vlora, kjo fjalë përdoret që nga një kërcënim, deri tek likuiditeti.

Avokati: Edhe email janë pjesë e hetimit, kanë dalë në media. Kanë edhe nëntekste lidhur me atë që Komisioni po heton.

Albana Vokshi: Cili është ortaku që iu informoi për koncensionin?

Ilir Rrapaj: Umbrio Staccini.

Albana Vokshi: Po Umbrion ku e njihni?

Ilir Rrapaj: Ka qenë presidenti i Polit Medikal, rajoni Umbria.

Albana Vokshi: A e njihnit Ilir Beqaj?

Ilir Rrapaj: E kam njohur si personazh publik. Nuk kishim miqësi as më para, as më gjatë, as më vonë.

Albana Vokshi: Kur e keni takuar për herë të parë?

Ilir Rrapaj: Në të njëjtin aktivitet që kam takuar edhe zv.ministrin. Ishin mbi 400 pjesëmarrës.

Albana Vokshi: Pra po thoni që kur ai ka pësuar një aksident, ju nuk e keni ndihmuar në një nga spitalet në Itali?

Ilir Rrapaj: Jo! Edhe më vjen keq se do e kisha ndihmuar si për këdo shqiptar. Në cilin spital ka qenë?

Albana Vokshi: Në Bari

Ilir Rrapaj: është 850 km larg nga Umbria.

Albana Vokshi: A keni dijeni për një shtëpi që ka blerë Ilir Beqaj në Itali?

Ilir Rrapaj: Jo!

Albana Vokshi: A e njihni Edi Ramën?

Ilir Rrapaj: Edhe për personazhet e lartcituar, e njoh nëpërmjet aktivitetit politik. E kam njohur në të njëjtin aktivitet. Aty e kam takuar fizikisht. Ky është momenti i parë.

Albana Vokshi: Këtu u takuat, nuk e njihnit?

Ilir Rrapaj: Po, po! E kam takuar edhe në një ose dy takime të tjera, si pjesë e delegacionit të Umbrias. Beqajn e kam takuar vetëm në ambiente zyrtare.

Albana Vokshi: Për çfarë keni biseduar me kryeministrin?

Ilir Rrapaj: Kam qenë i pranishëm në takimet me delegacionet.

Albana Vokshi: Për çfarë u diskutua?

Ilir Rrapaj: Nuk mbaj mend akordin e arritur. Ishte një akord për faktin që ishte hera e parë në historinë e Italisë që ministrja i delegoi presidentit të një rajoni të delegonte bashkëpunimet ndërkombëtare. Është folur për ministritë përkatëse që ishin pjesë e këtij akordi.

Albana Vokshi: Që nga ky takimi që duhet të ketë qenë në 22 nëntor, cila ka qenë marrëdhënia juaj me Ilir Beqajn? A keni pasur takime të tjera?

Ilir Rrapaj: 1 ose 2 takime, institucionale, asnjë takim tjetër.

Albana Vokshi: Kush ishte hapi tjetër që ndoqët?

Ilir Rrapaj: Në vijim të takimi, padyshim që ka qenë një seri komunikimesh që kanë bërë palët mes tyre. Unë isha i ftuar për të lehtësuar komunikimin mes tyre. Asnjëlloj vijimsie jashtë këtyre rrethanave.

Albana Vokshi: Janë zhvilluar takim me delegacione të Umbrias në ministrinë e Shëndetësisë? Kanë qenë në dhjetor?

Ilir Rrapaj: Muaji nuk më kujtohet por po!

Albana Vokshi: Çfarë roli kishit?

Ilir Rrapaj: Delegacioni zgjedh se kush konsiderohet si i dobishëm. Unë isha nënshtetas italian me kombësi shqiptare.

Albana Vokshi: Kush e bëri delegacionin? Ishit ju ndërmjetësi?

Ilir Rrapaj: Ishte rajoni i Umbrias

Albana Vokshi: Si e kontaktoi ministrin?

Ilir Rrapaj: Mua po më pyesni?! Më zgjodhën mua mes shumë personave dhe jam shumë i ndëruar për këtë gjë. Jam zgjedhur për kontributin që kam dhënë.

Albana Vokshi: Iu ftoi Umbrio Staccini?

Ilir Rrapaj: Shoqata e konfindustrisë italiane…

Albana Vokshi: A është folur për sterilizimin në këto takime

Ilir Rrapaj: U përgjërohem, merrni një kopje të kuadrit. Nuk flitet as për sterilizimin a asnjë gjë. Një asnjë germë të atij akordi nuk përmendet. Në marrëveshjen kuadër kam qenë në takime derisa është firmosur marrëveshja.

Albana Vokshi: Keni qenë pjesë e delegacionit për sterilizimin?

Ilir Rrapaj: Kam qenë. Nuk është folur për sterilizimin. Në këtë pelegrinazh në spitalet publike, ka qenë fotografimi i panoramës së gjendjes së spitaleve publike shqiptare. Ishte ftesë nga institucionet shqiptare për të bërë një vizitë në spitalet publike dhe objektivi ishte për të dhënë një kontribut për kritere protokollare të njësoheshin me ato italiane.

Albana Vokshi: Keni qenë kur u firmos marrëveshja?

Ilir Rrapaj: Po, në të njëjtin rol si më parë.

Albana Vokshi: Cili ishte produkti i marrëveshjes?

Ilir Rrapaj: Kirurgjia publike shqiptare ka hyrë në BE falë standardeve që adoptoi. Këtë e them me një ndjenjë krenarie të pashoq.

Albana Vokshi: Jeni krenar për mënyrën që është bërë koncensioni?

Ilir Rrapaj: Jam krenar për çfarë ka arritur të bëjë ky projekt madhështor.

Albana Vokshi: Pasi u firmos marrëveshja, çfarë është bërë. Ku keni qenë ju? Nga marrëveshja ka dalë një produkt, për sterilizimit. Kush e ka vijuar punën?

Ilir Rrapaj: Nuk kam koment për këtë. Nuk e kam ndjekur.

Albana Vokshi: Nga faktet publike rezulton që ka disa udhëtime të përbashkëta tuajat me Beqajn, Rrjepajn dhe shtetas italiane që kanë qenë pjesë e koncesionit. A mund të më shpjegoni se cila ka qenë marrëdhënia juaj?

Ilir Rrapaj: Nuk rezulton të jemi i vetëm, por në prezentë të personave të tjerë. Kanë qenë në funksion të takimeve zyrtare në Itali. Rajoni i Umbrias është pjesë e akordit, por edhe universiteti i Perugias. Në Kosovë, ka qenë një udhëtim i programuar me ftesë zyrtare nga rektori i Universitetit të Prishtinës. Nga pala italiane është kërkuar që takimi të lihet afër me takimin në Shqipëri. U bë për të mos ardhur dy herë. Makinën na e dha ministria, akt xhentilese. Karburanti u kompensua nga pala italiane.

Albana Vokshi: A mund të na e shpjegoni rastësinë e udhëtimeve?

Ilir Rrapaj: Zotërinj kanë qenë në funksion të tyre përkatëse dhe unë po ashtu. Udhëtimet e mia drejt Italisë apo anasjelltas mund të koncidojnë me një sërë figurash publike shqiptare, apo ish-figura, këtë mund ta konfirmoni. Për mua nuk është ndonjë risi.

Albana Vokshi: Keni udhëtuar disa herë bashkë, madje edhe makinën shtetërore të zv.ministrit, udhëtime jashtë vendit. Pse thatë që nuk i njihni?

Ilir Rrjepaj: Ishin zyrtare. Universiteti i Peruxhias kërkoi takim me Universitetin e Kosovës. Nuk rezulton të jem i vetëm. Kam qenë në funksion të udhëtimeve zyrtare Rajoni i Umbrias është pjesë e këtij akordi kuadër, por edhe Universiteti i Peruxhas. Udhëtimi në Kosovës ka qenë i programuar për tu takuar me rektorin e universitetin e Prishtinës. Po i referohem makinës së zv.ministrit. Ministria e Shëndetësisë u tregua xhentile dhe na dha makinën për të shkuar në Kosovë. Pasi mbaruam punë në Tiranë, profesori italian iku në Prishtinë, Mendoni se ishim keq për një taksi apo një makinë private? Ishte një akt xhentilese nga ministria që i vuri në dispozicion profesorit një makinë. Në Prishtinë u bë një takim zyrtar.

Albana Vokshi: Nuk ka foto, nuk ka një rekord të këtij takimi?

Ilir Rrapaj: Duhet të ketë.

Albana Vokshi: Paratë e buxhetit, benzina e ministrisë u vu në dispozicion të disa italianëve për të shkuar në Kosovë. Pse ju morët 40 % dhe kompani të mëdha si Service Italia, mori vetëm 30%. Çfarë kontributi kishit ju?

Ilir Rrapaj: Isha distributor ekskluziv për dekontamiminim në Shqipëri. Menduan ortakët që ishte e logjikshme për të kompensuar teknologjinë.

Albana Vokshi: Jua dhanë paraprakisht 40%?

Ilir Rrapaj: Ata do të kishin pjesën e luanit në furnizimit të vazhdueshëm, do të kishin fitim më të lartë dhe të garantuar. Aparaturat e mia kanë vlerë modeste, dhe për një marrëveshje të ndershme më dhanë 40% të dividentit.

Albana Vokshi: Jeni prestanome. Nuk funksionon kështu kapitalizmi.

Advertisement