Connect with us

Kosova

Stradner: Fatkeqësisht, shumë s’e kuptojnë që Vuçiçi është faktori kryesor i destabilitetit në rajon

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, konsideroi se disa vende të Bashkimit Evropian (BE), por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), s’e kuptojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, aktualisht është faktori kryesor i destabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Stradner, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielen, nënvizoi se inteligjenca serbe ka shpenzuar kohë për të bindur disa figura në botën perëndimore se Vuçiçit i interesojnë vetëm paratë dhe rrjedhimisht, mbetet faktor stabiliteti, duke bërë në të njëjtën kohë që presidenti serb të duket “udhëheqës i moderuar” në sytë e bashkësisë së organizuar perëndimor.

“Inteligjenca e Serbisë shpenzoi kohë për të bindur disa figura në Perëndim se Vuçiçit i intereson vetëm $ dhe ekonomia është çelësi; për të përçuar mesazhin ‘të harrojmë vitet ’90 dhe të mendojmë për bashkëpunimin e ardhshëm’ – muzikë për veshët perëndimor; për të shkatërruar opozitën pro-perëndimore dhe nxitur grupet e ekstremit të djathtë”, tha ajo.

“Fatkeqësisht, shumë politikanë në Perëndim nuk e kuptojnë Serbinë. Disa në Mbretërinë e Bashkuara e kuptojnë, por nuk mund të bëjnë shumë.

Gjithashtu, ata nuk e kanë idenë se çfarë të bëjnë me Vuçiçin sepse nuk ka opozitë”, shtoi Stradner, derisa shprehu drojën që shumë pak liderë i kushtojnë vëmendje rajonit.

E megjithatë, shumë analistë të huaj konsiderojnë se shpresat e bashkësisë perëndimore se perspektiva evropiane e Serbisë do ta shtynte Vuçiçin që t’u përmbahet normave demokratike në vend dhe të përmbahet nga minimi i vazhdueshëm i shteteve fqinje, tashmë janë thyer sepse Serbia vazhdon të marshojë sipas një daulleje krejt tjetër nga pjesa tjetër e kontinentit evropian.

Advertisement