Bota
Strategjia e administratës Trump për dosjen Epstein, zyrtarët e presidentit amerikan vendosin publikimin e materialeve

Zyrtarët më të lartë të administratës së presidentit Donald Trump do të mblidhen mbrëmjen e së mërkurës në rezidencën zyrtare të zëvendëspresidentit JD Vance, për të diskutuar strategjinë e mëtejshme të administratës mbi dosjen Epstein.
Konkretisht do diskutohet nëse do të bëhet publike një audio-regjistrim dhe transkripti i një interviste mes zëvendësprokurorit të përgjithshëm Todd Blanche dhe Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e Jeffrey Epstein.
Takimi, i konfirmuar nga tre burime të afërta me zhvillimet thotë CNN, do të përqendrohet tek mënyra se si administrata Trump duhet të menaxhojë presionin në rritje për transparencë dhe publikimin e informacioneve që lidhen me rrjetin e abuzimeve seksuale të drejtuar nga Epstein.
Në këtë darkë do të marrin pjesë zëvendëspresidenti JD Vance, shefja e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi, drejtori i FBI-së, Kash Patel dhe zëvendësprokurori i Përgjithshëm Todd Blanche.
Sipas burimeve, administrata është duke shqyrtuar mundësinë për të publikuar regjistrimin dhe transkriptin e intervistës që Blanche zhvilloi muajin e kaluar me Maxwell në zyrën e prokurorisë në Tallahassee, Florida. Audio-materiali përfshin më shumë se 10 orë, dhe ende po transkriptohet e redaktohet për të mbrojtur emrat e viktimave dhe informacione të ndjeshme.
Gjithashtu, janë duke u shqyrtuar mundësitë që Todd Blanche të mbajë një konferencë për shtyp ose të japë një intervistë ekskluzive, me përmendje të mundshme edhe të një bisede me podkastin e njohur të Joe Rogan. Edhe pse Rogan e ka mbështetur Trumpin, ai ka qenë kritik për mënyrën se si administrata ka menaxhuar çështjen Epstein, duke e quajtur “vijë ndarëse” refuzimin për të zbardhur të gjithë dosjen.
Departamenti i Drejtësisë dhe FBI nuk kanë dhënë komente për këtë çështje, ndërkohë që CNN raporton se brenda administratës ka patur përplasje mes zyrtarëve si Bondi dhe Patel lidhur me mënyrën e trajtimit të dosjes.
Presidenti Trump, duke komentuar takimin e Blanche me Maxwell, deklaroi se qëllimi ishte “të mos dëmtohen njerëz të pafajshëm” dhe se nuk ka pasur ndonjë bisedë personale me Blanche për këtë takim. Ai shtoi se është në favor të publikimit të dosjes, por “duhet kujdes që të mos cenohet askush që nuk ka lidhje me rastin”.
Nga ana tjetër, Komiteti i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve ka lëshuar disa thirrje zyrtare ndaj Departamentit të Drejtësisë dhe disa figurave të larta politike të të dyja partive, për të dorëzuar informacione dhe dokumente të lidhura me Epstein, një lëvizje që shihet si presion i hapur ndaj administratës për transparencë.
Maxwell, e dënuar në vitin 2022 me 20 vite burg për bashkëpunim me Epstein në abuzimin seksual të vajzave të mitura, ka vazhduar të apelojë dënimin e saj, përfshirë edhe në Gjykatën Supreme. Javën e kaluar ajo u transferua në një kamp burgimi me siguri më të ulët në Teksas – një lëvizje e rrallë për një të dënuar për krime seksuale.
Ndërkohë, Trump nuk ka përjashtuar mundësinë e një faljeje presidenciale për Maxwell, ndonëse një zyrtar i lartë i administratës i ka thënë CNN-it se aktualisht kjo nuk është në shqyrtim.

