Connect with us

Bota

Strategjia e Trump para sulmit/ Pse deklaroi se SHBA do e merrte vendimin brenda dy javëve

Të enjten e kaluar pasdite, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, lexoi një mesazh që ajo tha se erdhi “direkt nga presidenti”. Në mesazh, Donald Trump tha se do të merrte një vendim “brenda dy javësh” nëse SHBA-të do ta sulmonin Iranin.

Trump ka qenë nën presion për të qëndruar larg konfliktit Izrael-Iran nga anëtarët e partisë së tij që kundërshtojnë një politikë të jashtme ndërhyrëse, dhe atë ditë ai po drekonte me një nga eksponentët kryesorë të këtij trendi izolacionist, Steve Bannon. Kjo ngjarje shkaktoi spekulime se presidenti amerikan mund të zgjedhë në fund të fundit të tërhiqet dhe të mos e sulmojë Iranin.

Megjithatë, siç doli më vonë, këto përshtypje ishin larg realitetit. Trump pothuajse kishte arritur në vendimin për të goditur objektet bërthamore të Iranit, ndërsa përgatitjet ushtarake për këtë sulm kompleks ishin tashmë në zhvillim e sipër, siç raporton Neë York Times, në raportin e tyre të gjerë, duke përshkruar afatin kohor dhe sfondin e vendimeve të presidentit amerikan.

Më pak se 30 orë më vonë, Trump dha urdhrin për një operacion që e solli SHBA-në në qendër të konfliktit.

 

 

Deklarata e Trumpit për “dy javët” ishte vetëm një pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për çorientim politik dhe ushtarak që ndodhi gjatë tetë ditëve kaotike, nga sulmet e para izraelite ndaj Iranit deri në momentin kur bombarduesit amerikanë B-2 u ngritën nga Misuri për të kryer sulmet e para ushtarake amerikane brenda Iranit që nga viti 1979.

Ndryshimi i qëndrimit të Trumpit

Trump i kaloi muajt e parë të presidencës së tij duke e paralajmëruar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të mos e sulmonte Iranin. Por në mëngjesin e 13 qershorit, vetëm disa orë pas sulmeve të para izraelite, Trump kishte ndryshuar mendim.

Ai po u tregonte këshilltarëve të tij për një “operacion të shkëlqyer ushtarak” nga izraelitët, i cili përfshinte një seri sulmesh precize që vranë figura të rëndësishme në udhëheqjen ushtarake të Iranit dhe shkatërruan objekte të armëve strategjike.

Trump madje mori telefonata në celular nga gazetarët dhe foli për një biznes “të jashtëzakonshëm” dhe “shumë të suksesshëm”, ndërsa nënkuptonte se ai ka shumë më tepër të bëjë me të nga sa e di bota.

Më vonë atë ditë, Trump pyeti një aleat rreth “si po shkonin sulmet izraelite”. Ai tha se “të gjithë” po i thoshin se duhet të përfshihej më shumë, përfshirë bombardimin e impiantit të pasurimit të uraniumit të Iranit në Fordow, i cili ndodhet thellë nën një mal në jug të Teheranit.

Në mbrëmjen e së dielës, më 15 qershor, po zhvilloheshin diskutime midis zyrtarëve të administratës rreth mundësisë së një sulmi amerikan ndaj Iranit, ndërsa Trump ishte nisur për në Kanada dhe në Samitin e G7-ës.

Atëherë dukej se Trump po i afrohej dhënies së dritës jeshile për një sulm të tillë, edhe nëse thoshte se Izraeli do të ishte budallallëk të përpiqej të vriste udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Për më tepër, ai tha se nëse SHBA-të sulmojnë Iranin, qëllimi duhet të jetë shkatërrimi i objekteve të tij bërthamore dhe jo rrëzimi i qeverisë së tij.

“Kërcënimi më i madh i sigurisë”

Në atë kohë, një grup i vogël zyrtarësh të lartë ushtarakë në Pentagon dhe në Komandën Qendrore të ushtrisë amerikane (Centcom) kishin filluar tashmë finalizimin e planeve për një sulm ndaj Fordoë dhe objekteve të tjera bërthamore iraniane, të cilat ishin formuluar vite më parë.

Bombarduesit B-2 nga Baza Ajrore Whiteman në Misuri ishin të vetmit avionë ushtarakë që mund të mbanin bombat GBU-57 pa u zbuluar nga radarët iranianë.

Pilotët e këtyre avionëve kanë kryer teste intensive për misione me rreze të gjatë veprimi si ai që ishin gati të ndërmerrnin këtë herë – duke kaluar Atlantikun dhe Mesdheun, duke u furnizuar disa herë me karburant përpara se të “sinkronizoheshin” me avionë të tjerë luftarakë për fazën e fundit të fluturimit drejt Iranit.

Por, pavarësisht faktit se planet në fjalë u zbatuan në fshehtësi, postimet e Trump në rrjetet sociale dhanë një ide të asaj që do të ndodhte.

Për të krijuar një shpërqendrim, zyrtarët ushtarakë vendosën që dy grupe bombarduesish B-2 do të niseshin nga Misuri pothuajse në të njëjtën kohë. Njëri grup do të fluturonte për në Guam, dhe tjetri – i përbërë nga shtatë avionë – do të nisej në lindje drejt Iranit, pa u zbuluar.

Gjatë një konference për shtyp të dielën, disa orë pas sulmit amerikan, Gjenerali Kane e përshkroi pretendimin e bërë me avionin që po shkonte drejt Guamit si “mashtrim”.

Përgatitja e terrenit përmes… mediave sociale

Deri të mërkurën, më 17 qershor, Trump kishte vendosur kryesisht për të sulmuar Iranin.

“Tani kemi kontroll të plotë të qiellit mbi Iranin”, tha ai në platformën Truth Social, duke shtuar se “e dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi ‘Udhëheqës Suprem’. Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt atje – Nuk do ta neutralizojmë, të paktën jo ende”. Më pas shkroi me shkronja kapitale “DORËZIM PA KUSHT”.

Që nga ajo pikë e tutje, shumë në kampin anti-ndërhyrës të Trump e kuptuan se ndoshta nuk do të ishin në gjendje ta ndalonin presidentin nga goditja e objekteve bërthamore iraniane, kështu që e kthyen vëmendjen e tyre në përpjekjen për të siguruar që sulmi amerikan të mos përshkallëzohej në një luftë në shkallë të plotë të “ndryshimit të regjimit”.

Më 17 qershor, zëvendëspresidenti J.D. Vance bëri një sërë postimesh në mediat sociale që u konsideruan gjithashtu si përgatitje për një sulm të mundshëm, si dhe në mbështetje të një vendimi të tillë.

Të premten e kaluar, Trump më në fund urdhëroi ushtrinë të fillonte misionin e saj në Iran. Duke pasur parasysh se bombarduesve iu deshën 18 orë për të mbërritur në Iran nga Misuri, ai e dinte se ende kishte shumë kohë për të ndryshuar mendje, siç kishte bërë në minutën e fundit në vitin 2019, kur urdhëroi sulme ajrore ndaj objektivave iraniane dhe më pas i anuloi ato.

Por pak veta në qeverinë e tij besonin se këtë herë ai do të tërhiqej.

Rast i izoluar… apo jo?

Dhe kështu filloi operacioni kompleks dhe i koordinuar mirë i SHBA-së. Disa orë pasi dy grupet B-2 u nisën në drejtime të ndryshme, bombarduesit që fluturonin drejt Iranit u “përforcuan” me eskortë luftarakë dhe hynë në hapësirën ajrore iraniane.

Po atë ditë, nëndetëset amerikane lëshuan 30 raketa Tomahaëk në objektet bërthamore në Natanz dhe Isfahan.

Ndërsa avioni po i afrohej Fordoë dhe Natanz, avionët luftarakë kaluan përpara bombarduesve dhe hapën zjarr për të penguar sulmet e mundshme nga raketat tokë-ajër iraniane, shpjegoi gjenerali Kane gjatë një takimi informues me gazetarët në Pentagon të dielën.

Në mesditë të asaj dite, bombarduesi kryesor hodhi dy bomba BGU-57 mbi objektet e Fordow. Deri në fund të misionit, 14 prej këtyre bombave ishin hedhur, hera e parë që ato ishin përdorur në luftime.

Zyrtarët e Pentagonit thanë se bombarduesit dhe avionët luftarakë amerikanë nuk u përballën me ndonjë zjarr.

Disa orë pasi avionët amerikanë u larguan nga hapësira ajrore iraniane, Trump mbajti një fjalim triumfues në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se misioni kishte “shkatërruar plotësisht” aftësitë bërthamore të Iranit. Ai madje sugjeroi se lufta mund të përfundonte me këtë mision të vetëm nëse Irani braktiste programin e tij bërthamor dhe pranonte të negocionte.

Megjithatë, deri të dielën pasdite, zyrtarët amerikanë kishin nxituar të zbutnin optimizmin e natës së kaluar, duke thënë se objektet bërthamore të Iranit mund të jenë dëmtuar rëndë, por jo plotësisht .

Zëvendëspresidenti J.D. Vance pranoi se mbeten pikëpyetje në lidhje me rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit. Ai dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio theksuan, megjithatë, se qëllimi nuk ishte ndryshimi i regjimit në Teheran.

Por Trump kishte shkuar më tej, duke lënë të kuptohet në një postim në Truth Social se qëllimet e tij mund të ndryshojnë.

“Nuk është politikisht korrekte të përdoret termi ‘Ndryshim Regjimi’”, shkroi ai, “por nëse regjimi aktual iranian nuk është i aftë ta BËJË IRANIN PËRSËRI TË MADH, pse të mos ndryshojë regjimi???”

Advertisement