Kosova
Stuhi diplomatike për të ringjallur bisedimet Kosovë-Serbi/ Shkrim i ‘The Guardian’
Sipas prestigjozes ‘The Guardian’, “Përpjekjet për t’i ringjallur bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë filluar, me takimet e liderëve të dy vendeve dhe të dërguarve të lartë të SHBA-së dhe BE-së të planifikuara për të shtunën e 21 tetorit”
Kjo do të jetë hera e parë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë rënë dakord të takohen me një delegacion ndërkombëtar që nga të shtënat me armë zjarri në një manastir në veri të Kosovës muajin e kaluar, duke lënë të vdekur tre agresorë dhe një polic kosovar.
Gazeta britanike shkruan se takimet janë aranzhuar pas një stuhie të diplomacisë që përfshin zyrtarë të lartë në SHBA, Francë, Gjermani, Itali dhe BE.
Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, tha se “Qëllimi i vizitës është të bëhet përparim konkret në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit dhe në de-përshkallëzimin pas zhvillimeve të fundit”, duke shtuar se ka “pritshmëri të qarta” se palët do të rifillonin bisedimet e normalizimit “pa vonesa apo kushte”.
Bisedimet dështuan pas sulmit në shtator, me akuzat nga Kosova se BE-ja dhe SHBA-ja, në përpjekje për ta kufizuar ndikimin rus në Ballkan, po e qetësojnë Serbinë për shkak të lidhjeve të saj me Kremlinin.
Në takimet e së shtunës pritet të marrë pjesë edhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, i cili do të shoqërohet nga këshilltarët e politikës së jashtme dhe sigurisë të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, respektivisht Emmanuel Bonne, Jens Plötner dhe Francesco Talo. I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të udhëtojë gjithashtu në Kosovë dhe Serbi për këto takime