Sport
Suksesi i Shqipërisë bëhet jehonë në mbarë botën, ja çfarë shkruajnë mediat për kualifikimin e kuqezinjve
Një sukses mëse i merituar për mënyrën se si shkuan gjërat, duke marrë parasysh faktin se grupi ka qenë gjithmonë i bashkuar dhe me dëshirën maksimale për të fituar në fushë. Veç kësaj, prania e tifozëve ishte si një stimulues i jashtëzakonshëm për lojtarët tanë të cilët dhuruan shfaqjen më të bukur sportive në dekadën e fundit.
Këtë arritje të madhe të shqiponjave kuqezi i kanë bërë jehonë edhe mediat botërore të cilat e cilësojnë skuadrën tonë të pamposhtur dhe serioze në finalet e Europianit të vitit të ardhshëm në Berlin.
“Edhe Shqipëria e kualifikuar; shkojnë në 12 kombëtaret me biletën për në Europian”, shkruan Gazzetta dello Sport. Ndërsa Tuttomercatoueb shkruan se kuqezinjtë gjejnë pikën e nevojshme për në Euro 2024. Ekipi merr pjesë për herë të dytë në europian, pas Francë 2016.
“Sylvinho çon Shqipërinë në europianin e dytë”, shkruan spanjollja “AS”. Ndërsa “Marca” ka titullin: “Shqipëria shkon në Europianin e dytë dhe është kombëtarja e 12 e kualifikuar”. Suksesin e Shqipërisë e vuri në dukje edhe UEFA.
Ndërkohë Reuters ka shkruar disi më gjatë, duke evidentuar se pas humbjes 1-0 në Poloni gjatë ndeshjes së parë të këtyre kualifikuesve, tanët nuk janë mundur më.