Politike
Sula i përgjigjet Nokës: Mos përsërisim gabimin
Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka deklaruar se qëllimi në bashkimin e demokratëve për zgjedhjet lokale duhet të jetë gjetja e një kandidati më të mirë se ai i mazhorancës.
Me anë të një postimi në Facebook, Sula shtoi se të gjithë duhet të bëjnë përpjekjet maksimale që ta çojnë përpara këtë frymë pa vendosur kushte, pasi sipas tij, nuk mund të ketë kushte në gjetjen e rrugës për të dalë përballë Edi Ramës.
Kujtojmë se PD zhvilloi sot bisedime me aleatë jo parlamentarë për daljen me një kandidat në zgjedhjet lokale.
Deputeti Flamur Noka, në një komunikim për mediat tha se PD duhet të jetë e bashkuar dhe se bashkëpunimi është në interes të demokratëve.
“Koha për të reflektim nuk është kurrë vonë. I falënderoj. Tërheqja e padisë i jep sinjal demokratëve që jemi bashkë për një qëllim. Por sigurisht, ka kohë gjithmonë”, kështu është shprehur Flamur Noka.
Postimi i plotë:
Opozita me kandidat të përbashkët!
Të gjithë deputetët e grupit parlamentar të PD janë në parlament me votat e demokratëve. Ndaj në zgjedhjet lokale do të ishte gabim i rëndë të përsërisnim papjekurinë e 6 Marsit.
Bashkimi i PD në një qëllim të vetëm: ti japim demokratëve një kandidat të përbashkët më të mirë se ata të mazhorancës duhet të jetë obligimi i të gjithëve neve. Ditët e fundit ka patur sinjale pozitive brenda nesh që në këto zgjedhje që janë më afër qytetarëve të lemë mënjanë mosdakordësitë brenda vetës dhe tu paraqitemi demokratëve dhe shqiptarëve me një kandidat të vetëm.
Në këtë aspekt të gjithë duhet të bëjmë përpjekjet maksimale që ta çojmë përpara këtë frymë pa vendosur kushte. Në këtë frymë u caktua sot edhe z. Bardhi për të diskutuar me pjesën tjetër të kolegëve tanë. Nga ne nuk ka kushte në përpjekjen për të gjetur rrugën e duhur për të dalë përballë kundërshtarit tonë politik Edi Rama me nje kandidat të përbashkët.
Kjo do duhet të ndodhë edhe me pjesën tjetër të grupit tonë. Vendosja e kushteve apo e parakushteve ndihmon vetëm partinë në pushtet. Jo vetëm demokratët por të gjithë shqiptarët nuk e meritojnë keq qeverisjen nga kjo mazhorancë. Ndaj edhe neve duhet të na shqetësojë kjo gjë e të gjithë së bashku të bëhemi alternativë.
Si një familje e cila pavarësisht mërive të momentit në kohëra të vështira bëhen bashkë, ashtu edhe ne si një familje e madhe në kushtet kur të gjithë pushtetet janë përqendruar në një dorë dhe shqiptarët po detyrohen të largohen çdo ditë, duhet të lemë mënjanë interesat e ngushta e duhet të bashkohemi për ti kthyer pushtetin lokal qytetarëve duke u bashkuar.