Connect with us

Bota

Sulm terrorist/ Policia rrethon Aeroportin e Athinës

Një avion i tipit ‘Boeing 777’ i kompanisë Emirates me 246 persona në bord (228 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit) i nisur nga Athina për në Nju Jork u detyrua të kthehej në Greqi, teksa ishte mbi Sardenjë, pas një alarmi për terrorizëm të lëshuar nga autoritetet greke. Nuk është e qartë për momentin se cila ishte arsyeja  e alarmit, por mediat lokale flasin për një pasagjer të dyshimtë të raportuar nga CIA. Burimet italiane sqarojnë se sapo avioni ishte në hapësirën ajrore italiane, qendra e kontrollit të zonës së Brindisit mori alarmin e terrorizmit nga kolegët grekë. Në atë moment, kontrollorët italianë dërguan komunikimin e urgjencës tek francezët, sepse fluturimi me numër EK209 ishte në drejtim të Korsikës, ku ky i fundit urdhëroi kthimin e avionit.

Sipas raportimit të Flightradar24, avioni bëri disa xhiro midis Olbia dhe Alghero, në veri të Sardenjës dhe më pas vazhdoi drejt jugut, në Mesdhe, ku italianët “ja dorëzuan” autoriteteve malteze dhe më pas avioni u fut në hapësirën ajrore greke ku u ul në aeroportin e Athinës në orën 21:07 me orën italiane. Gjithashtu raportohet se avioni është shoqëruar gjatë uljes me avionë luftarakë.

Mediat greke sqarojnë se CIA raportoi pranë shërbimeve sekrete të Athinës praninë e një pasagjeri të mundshëm të dyshimtë në një fluturim të Emirates për në Dubai apo Nju-Jork. Megjithatë, në atë moment, fluturimi direkt për në SHBA ishte nisur tashmë, ndërsa ai i destinuar për në Dubai nuk është kontrolluar ende për të gjithë pasagjerët e tij dhe fluturimi është nisur me disa orë vonesë. Në fluturimin e kthimit, kontrollet u kryen më pas në një zonë larg terminalit kryesor. Nuk ka koment nga autoritetet e aeroportit të Athinës dhe as nga kompania Emirates.

Advertisement