Bota
Sulme të reja në Rripin e Gazës, raportohet për 28 viktima/ OKB miraton planin ndërkombëtar të paqes
Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten, ndërsa ushtria izraelite ka ndërmarrë bastisje të reja në të gjithë Rripin e Gazës.
Përshkallëzimi vjen pak pasi forcat izraelite bombarduan një kamp refugjatësh në Liban, duke shkaktuar viktima të tjera. Të martën, Hamasi kreu një sulm në zonën e Gush Etzion, në jug të Jerusalemit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë.
Ndërkohë, në planin diplomatik, përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit kanë hyrë në “fazën e dytë”. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e propozuar nga SHBA, e cila bazohet në planin e paqes të Presidentit Donald Trump për Gazën. Teksti, i riformuluar disa herë gjatë negocimeve, u miratua me 13 vota pro, ndërsa Kina dhe Rusia abstenuan.
Rezoluta parashikon krijimin e një force ndërkombëtare stabilizimi për Rripin e Gazës, me mandat për të garantuar sigurinë dhe për të çarmatosur Hamasin. Megjithatë, vetë Hamasi e ka refuzuar planin, duke e cilësuar “të rrezikshëm” dhe duke e interpretuar si “një përpjekje për vendosjen e Rripit nën autoritet ndërkombëtar”.
Situata në terren mbetet e paqëndrueshme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shpreson se faza e re e procesit të paqes mund të hapë rrugën për uljen e dhunës.