Bota
Sulmet izraelite/ Masakër në kampin e refugjatëve në Gaza, 150 të vdekur dhe të plagosur
Mbrojtja Civile e Gazës thotë se ushtria izraelite ka kryer një ‘masakër masive’ duke sulmuar të paktën 10 ndërtesa banimi në kampin e refugjatëve Jabalia, në veri të Rripit, siç raportohet nga transmetuesi arab Al Jazeera. Agjencia palestineze e lajmeve Wafa flet për rreth 150 të vdekur dhe të plagosur.
Mediat raportojnë edhe për tre gazetarë janë vrarë nga një sulm izraelit në Libanin Jugor. Ushtria izraelite goditi një shtëpi në Hasbaya, rreth 50 kilometra në jug të kryeqytetit libanez, e përdorur si rezidencë nga shtypi. Viktima janë fotoreporteri Ghassan Najjar, Mohamed Reda, i cili punonte për gazetën pro-iraniane Al-Mayadeen dhe një fotoreporter që punonte për Al-Manar të Hezbollahut.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të takohet sot në Londër me kryeministrin libanez, Najib Mikati, për të diskutuar ofensivën izraelite kundër Hezbollahut. Blinken mbërriti në Londër pas një turneu në Lindjen e Mesme, ku bëri thirrje gjithashtu për mbrojtjen e civilëve libanezë dhe për një armëpushim të menjëhershëm nga Izraeli.
Ndërkohë, ‘Wall Street Journal’ shkruan se në fillim të këtij viti Rusia ndihmoi Houthit në Jemen duke ofruar të dhëna satelitore për anijet perëndimore në Detin e Kuq. ‘Wall Street Journal’ shkruan se të dhënat iu vendosën në dispozicion nëpërmjet anëtarëve të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të lidhur me Houthis. Të dhënat satelitore ruse u dhanë për të ndihmuar grupin e mbështetur nga Irani për të zgjeruar sulmet e tij, të cilat filluan në nëntor të vitit të kaluar, sulme për të cilat Houthis thotë se ishin në mbështetje të palestinezëve në Gaza.