Bota
Sulmet ruse vrasin 13 civilë në Ukrainë, Zelensky kërkon më shumë ndihmë nga Perëndimi

Ushtria ruse kreu sulme me dronë, raketa dhe artileri në Ukrainë, duke i vrarë të paktën 16 civilë dhe duke i plagosur gati 100 të tjerë, thanë zyrtarët të martën. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi garanci për ndihmë të mëtejshme ushtarake nga Perëndimi për përpjekjet e vendit të tij për ta zmbrapsur pushtimin rus.
Forcat ruse kanë bombarduar pareshtur zonat civile në Ukrainë gjatë gjithë luftës, e cila tani është në vitin e katërt. Më shumë se 12.000 civilë ukrainas janë vrarë, sipas Kombeve të Bashkuara. Edhe Ukraina ka kryer sulme me dronë me rreze të gjatë ndaj Rusisë, duke goditur zona të banuara.
Zelensky pritet të takohet të martën me udhëheqës perëndimorë që po marrin pjesë në një samit të NATO-s në Hagë të Holandës. Ai është i përkushtuar ta sigurojë mbështetjen e mëtejshme ushtarake për luftën e Ukrainës kundër Rusisë, pasi bisedimet e fundit direkte për paqe nuk sollën përparim drejt një arritjes së marrëveshjeje.
Furnizimet kryesore ushtarake për Ukrainën, të trashëguara nga administrata Biden, pritet të harxhohen brenda disa muajsh, sipas analistëve, dhe është e paqartë nëse presidenti Donald Trump do të jetë i gatshëm të ofrojë ndihmë të mëtejshme. Një sulm rus me raketë balistike në qytetin Dnipro goditi disa zona civile rreth mesditës të martën, duke vrarë shtatë njerëz dhe plagosur 70 të tjerë, sipas zyrtarëve lokalë.
Në qytetin afër, Samar, një sulm vrau dy njerëz dhe plagosi nëntë të tjerë, shkroi në Telegram kreu i administratës rajonale të Dnipros, Serhii Lysak. Breshëria e sulmeve dëmtoi 19 shkolla, 10 kopshte, një shkollë profesionale, një shkollë muzike dhe një zyrë të mirëqenies sociale, si dhe tetë objekte mjekësore, sipas kryebashkiakut të Dnipros, Borys Filatov.
Rusia gjithashtu bombardoi lagje të banuara dhe infrastrukturë kritike në rajonin jugor të Hersonit në Ukrainë, duke vrarë katër civilë dhe plagosur të paktën 11 të tjerë, sipas Oleksandr Prokudinit, kreut të administratës ushtarake rajonale. Në rajonin Sumi, një sulm rus me dronë të hënën vonë vrau tre civilë, përfshirë një djalë pesëvjeçar, dhe plagosi gjashtë të tjerë, thanë autoritetet lokale.
Mes të plagosurve ishin dy vajza 17-vjeçare dhe një djalë 12-vjeçar, sipas zyrtarëve. Ndërkohë, forcat ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan gjatë natës 20 dronë ukrainas, raportoi Ministria ruse e Mbrojtjes të martën në mëngjes. Ajo tha se 14 u rrëzuan mbi rajonin e Kurskut, që kufizohet me Ukrainën, ndërsa dy të tjerë po fluturonin mbi krahinën e Moskës.

