Bota
Sulmi i Izraelit mbi rezervat iraniane/ Rritet me 5% çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare
Çmimet e naftës kapërcyen sërish në vlerën e rreth 110 dollarë për fuçi.
Të mërkurën, u shënua një rritje mbi 5% e çmimit ndërkombëtar të naftës, që njihet si nafta bruto Brent, krahasuar me një ditë më parë. Çmimet e naftës së papërpunuar Brent arritën mbi 108 dollarë për fuçi, menjëherë pas sulmit të ushtrisë izraelite ndaj kompleksit petrokimik të Iranit në fushën e gazit South Pars.
Kjo njihet si fusha më e madhe e gazit natyror në botë, e përbashkët midis Iranit dhe Katarit, dhe ka një rëndësi jetike për prodhimin energjetik të Iranit.
Menjëherë pas sulmit në fushën e gazit natyror South Pars të Iranit u reflektua rritja e çmimit të karburanteve në bursë, duke shtuar rreziqet për ekonominë globale. Rritja e çmimit ndërkombëtar të naftës preku edhe Mbretërinë e Bashkuar, ku të mërkurën pati një ndryshim me rreth 6%.
Sulmi i ushtrisë izraelite ndaj rezervave më të mëdha të gazit në botë shënon një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës në Lindjen e Mesme, duke ngritur shqetësimin për më shumë ndërprerje të furnizimeve globale. Pak orë pas sulmit, Irani kërcënoi se do të sulmojë infrastrukturën e energjisë në të gjithë Gjirin Persik.
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi për sulme në objektet energjetike në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, gjatë orëve në vijim.