Sport
Sulmi ndaj Ronaldos/ Akuza nga media e njohur: Kristianon nuk e markojnë në Itali
Kristiano Ronaldo u rikthye në fushë pas 18 ditësh në karantinë, si rrjedhojë e infektimit me “COVID” dhe diçka të tillë e festoi në mënyrën më të bukur të mundshme: dopietë decizive kundër Specias dhe 3 pikë për Juventusin.
Me dy golat e së dielës, portugezi, tashmë 35-vjeçar, numëron 5 realizime në 3 ndeshje të luajtura, ndonëse shifra të tilla nuk janë një risi për këtë fenomen të futbollit botëror, por me sa duket, forma e mirë e Kristiano Ronaldos mund të ketë bërë dikë xheloz në Katalonjë, nisur edhe nga akuzat e fundit që ka marrë Lionel Mesi, i cili në La Liga, në këtë fillimsezoni, ka shënuar vetëm një gol.
Të paktën kjo kuptohet nga akuza që e përditshmja “Mundo Deportivo” ka lëshuar ndaj sulmuesit të Juventusit. Sipas saj, jo vetëm që niveli i Serisë A nuk është i njëjti me atë që përballet Mesi në Spanjë, por akoma më shumë, mbrojtësit në Itali nuk e markojnë absolutisht Ronaldon në fushën e lojës: “Leos i është dashur gjithmonë që të luftojë kundër shumë mbrojtësve kundërshtarë njëherësh dhe sot në moshën 33-vjeçare i mungon ajo shpejtësi, ajo lehtësi për t’u nisur në sprint që ka pasur deri pak vite më parë”.
Ky shkrim shoqërohej me një foto të Lionel Mesit të rrethuar nga mbrojtës rivalë dhe përballë saj ishte një tjetër e Ronaldos, që nisej i vetëm drejt portës së Specias, për të shënuar. “Sa herë që Mesi ka topin në këmbë pranë zonës, ai rrethohet nga të paktën 4 kundërshtarë. Kristiano ndërkohë, pasi ka marrë një asist nga Morata, e gjen korridorin e hapur për të shënuar golin e 2-1 kundër Specias. Shkurt, në Itali kanë hequr dorë së markuari Kristianon, ndaj ai po shënon ende”, mbyllej shkrimi i katalanases “Mundo Deportivo”.
Gjithsesi, për të konfirmuar apo për të hedhur poshtë këtë akuzë nga kjo e përditshme do të na duhet të presim datën 8 dhjetor, kur në stadiumin “Kamp Nou” do të zhvillohet ndeshja e kthimit e fazës së grupeve të Champions-it mes Barcelonës dhe Juventusit.
PANORAMASPORT.AL