Aktualitet
Sulmi ndaj Top Channel/ Ndalohen dy persona në Vlorë (Deklarimet)
Vetëm dy persona janë ndaluar deri më tani nga Policia pasi dyshohet se kanë lidhje me sulmin e ndodhur mesnatën e kaluar te Top Channel.
Nga informacionet e deritanishme bëhet e ditur se dy personat janë ndaluar në Vlorë rreth orës 02:30 të mesnatës së kaluar. Kjo ka shtuar edhe më shumë dyshimet te hetuesit se këta dy persona mund të kenë lidhje me sulmin e armatosur te Top Channel.
Gjatë marrjes në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Tiranës, dy personat kanë deklaruar se ishin nisur drejt Vlorës për të blerë një makinë. Por ora e “zgjedhur” për t’u nisur drejt qytetit bregdetar është bërë shkak për dyshimet në lidhje me sulmin e ndodhur rreth orës 01:00 te Top Channel.
Ata do të pyeten edhe lidhur me rrethanat e itinerarit që kanë përshkruar për të parë nëse kanë apo jo lidhje me autorët e ngjarjes së rëndë.