Kosova
Sulmi në Banjskë akt kriminal, ish-kryenegociatori: E papranueshme që Radoiçiç është ende i lirë

Ish-kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviç e ka cilësuar si “akt kriminal” sulmin terrorist të Banjskës që ndodhi vitin e kaluar.
I pyetur nëse Milan Radoiçiç, që pranoi përgjegjësinë për sulmin, ka pasur mbështetjen e Aleksandër Vuçiç për këtë ngjarje, ai tha se të dy janë shumë të afërt.
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Beograd, Stefanoviç tha se nuk ka asnjë mundësi që Radoiçiç të ekstradohet në Kosovë.
“Mendoj se ky akt është kriminal dhe nënkupton që zyra e prokurorit dhe gjykata duhet të veprojnë e të mbajnë prapa hekurave te qelise të gjithë ata që janë përgjegjës. Ka zëra në Prishtinë që Radoicic duhet te ekstradohet por kjo është absolutisht e pamundur, prandaj duhet të tregojmë që jemi vend demokratik dhe ku sundon ligji, gjë që nuk jemi aktualisht nën këtë regjim. Vuciç dhe Radoiciç janë të afërt personalisht, politikisht, financiarisht. Është mister për mua që ky person ende është i lire” – theksoi Borko Stefanoviç.
Ai gjithashtu bëri përgjegjës presidentin serb Aleksandër Vuçiç edhe për dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës në nëntor të vitit 2022.
Ish-kryenegociatori serb ka thënë se Beogradi asnjëherë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa kritikoi kryeministrin Albin Kurti se po shkel të drejtat e serbëve në veri.
Sipas tij, Kurti dhe Vuçiç nuk kanë asnjë interes që dialogu të përparojë.
Stefanoviç u shpreh gjithashtu se kusht kryesor për vijimin e dialogut duhet të jetë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbë, ndërsa tha se mund të ketë negociata të frytshme vetëm pasi të ketë njerëz të rinj në pushtet.

