Connect with us

Bota

Sulmi në Moskë, BE paralajmëron Putin: Mos përdor incidentin për të intensifikuar luftën në Ukrainë!

Brukseli ka paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin që të mos përdorë sulmin terrorist në Moskë si pretekst për të intensifikuar luftën e tij kundër Ukrainës.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha të hënën se Bashkimi Evropian është “i shqetësuar” nga pretendimet e zyrtarëve rusë se Kievi ishte përfshirë në të shtënat e së premtes në një sallë koncerti, ku u vranë të paktën 137 persona.

Akuzat e Kremlinit kanë ngjallur frikë në Evropë se Putini mund të përdorë masakrën e Moskës për të justifikuar një përshkallëzim në Ukrainë, tashmë në vitin e tretë.

“Ne e kundërshtojmë këtë. Nuk ka asnjë tregues, asnjë provë, se Ukraina ishte e lidhur me këtë sulm,” u tha gazetarëve zëdhënësi i BE për politikën e jashtme, Peter Stano.

 

 

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve ruse që të mos përdorin sulmin terrorist në Moskë si një pretekst apo motivim për të rritur agresionin e paligjshëm kundër Ukrainës, ose ta përdorin atë si një pretekst për rritjen e represionit të brendshëm kundër kritikëve të regjimit rus”, shtoi Stano.

Një degë e grupit të Shtetit Islamik (IS) me bazë në Afganistan ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Katër burra janë akuzuar për kryerjen e akteve terroriste.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i hodhi poshtë pretendimet dhe e akuzoi Putinin se ka qëndruar i heshtur për një ditë pas sulmeve për të menduar “si ta lidhë rastin me Ukrainën”.

Këshilltari i Zelenskyy, Mykhailo Podolyak i përshkroi akuzat ruse si “absolutisht absurde”.

Advertisement