Kosova
Sulmi në veri/ 30 serbë të armatosur u strehuan në Manastir, hapën zjarr
Si sot 7 ditë më parë, një sulm terrorist tronditi veriun e Kosovës. Në Banjskë të Zveçanit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, një polic u plagos dhe dy të tjerë u lënduan. Të shtënat me armë zgjatën për disa orë, pasi rreth 30 persona të armatosur rëndë u strehuan në Manastirin e Banjskës.
Teksa vazhdonte situata e tensionuar, Kryeministri Kurti në një konferencë për media kishte prezantuar fotografi ku shiheshin personat e armatosur duke bartur gjëra të cilat nuk mund të identifikoheshin.
Nga gjuajtjet e vazhdueshme me armë, të vdekur mbetën edhe 3 sulmues serbë, mirëpo ministri Sveçla ka thënë se kanë indikacione që ky numër mund të jetë më i madh.
Më pas, rreth orës 18:00 të së dielës, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka marrë në kontroll Manastirin e Banjskës. Atje janë arrestuar 6 sulmues, derisa të tjerët dyshohen se kanë ikur në malet që e rrethojnë manastirin. Poashtu është gjetur edhe sasi e konsiderueshme e armatimit.
Reagimi i parë i Vuçiç
Lidhur me situatën në Veri, në ditën e sulmit terrorist është deklaruar për media edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai tha se sulmuesit nuk ishin serbë të Serbisë, por ishin serbë të Kosovës që u rebeluan kundër Kurtit.
Aktualisht në paraburgim janë katër persona nga grupi i armatosur që dyshohet se kreu sulmin terrorist, ndërkaq të premten nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiç mori përsipër përgjegjësinë për gjithçka që ndodhi të dielën në Banjskë.
Radojiçiqç ka thënë se ka kryer të gjitha përgatitjet logjistike dhe se vrasja e policit Afrim Bunjaku ka ndodhur “aksidentalisht”.
Dëshmitë e Kosovës për lidhjen e Serbisë me sulmin terrorist në Kosovë
Që në orën 7:20 të mëngjesit kur edhe e konfirmoi sulmin, kryeministri Kurti tha se ai është organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar, mirëpo për t’i mbështetur fjalët e Kurtit, ministri i tij i Brendshëm ka publikuar disa “dëshmi” për lidhjen zyrtare të Serbisë me grupin terrorist.
Sveçla fillimisht ka shpërndarë një video të realizuar nga droni i Policisë, ku në hapësirat e manastirit shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, i cili është në Listën e Zezë të SHBA’së dhe Britanisë së Madhe.
“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku”, kishte shkruar Sveçla.
Më pas ai lëshoi edhe një informacion tjetër, të cilin e prezantoi si dëshmi. Ai publikoi fotografinë e një prej sulmuesve të vrarë, për të cilin tha se është Bojan Mijailoviç, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksand13•r Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.
“Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013. Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
“Dëshmia” tjetër për përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit që e prezantoi Sveçla ka të bëjë me armatimin që u konfiskua në manastirin e Banjskës. Ai publikoi një dokument, për të cilin tha se është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës.
Lëvizja e një kolone ushtarake në jug të Serbisë
Të shtunën REL raportoi se rreth mesditës një autokolonë ushtarake po lëvizte nga jugu në veri të vendit. Më pas Qeveria e Kosovës më pas i bëri thirrje të shtunën vonë Serbisë t’i tërheqë trupat ushtarake nga vija kufitare me të.
“Qeveria e Republikës së Kosovës me vëmendje dhe vigjilencë është duke ndjekur zhvillimet e fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës”, tha Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.
Ndërsa, Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës u dënua nga ndërkombëtarët.