Kosova
SULMI TERRORIST/ Serbia i shkruan Perëndimit, çfarë përmban letra që u dërgua në KiE
Serbia ka dërguar një notë verbale dhe një non-paper në Këshill të Evropës lidhur me sulmin e ndodhur në strukturën e kanalit të ujit të Ibër-Lepencit. Në këtë letër, shteti serb shkruan se distancohet pa asnjë mëdyshje nga çfarëdo përfshirje në sulmin e 29 nëntorit dhe pretendon se akuzat e Kosovës që drejtojnë gishtin e përgjegjësisë drejt Beogradit zyrtar janë të pabazuara dhe pa prova. Gjithashtu ne leter Serbia shpjegon pozicionin e saj, teksa eshte shprehur se deklarime te tilla vetëm mund të çojnë në eskalim të panevojshëm të situatës në rajon.
Në pikën e parë në dokument, Serbia bën thirrje për një hetim të plotë dhe transparent për kete akt sabotazhi. Përveç ndihmesës për hetim, shteti serb në letër ka shprehur edhe gatishmëri për të ofruar përkrahje teknike dhe logjistike për të adresuar pasojat e sulmit, përfshirë edhe përkrahjen për rindërtimin e kanalit dhe ndihmesën për furnizimin me energji elektrike për zonat e afektuara.
Gjithashtu në letër Serbia kërkon që palët të përmbahen nga fajësimi i parakohshëm dhe në vend të kësaj të fokusohen në parandalimim e eskalimit të mëtejshëm në rajon. Gjithashtu shteti serb ka kërkuar që të mos përdoret ky rast për rritjen e pranisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri.
Në fund, Serbia thotë se ky sulm ka ndodhur në një kohë tepër të ndjeshme dhe se për të njejtin duhet një hetim i përbashkët, transparent dhe në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë partnerët e rëndësishëm, për të shmangur çfarërdo pasoje negative që mund të pengojë integrimin evropian dhe Dialogun për normalizimin e raporteve.