Kronike
Sulmohet patrulla e KFOR

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë për mediat në Kosovë se ka dëgjuar dhe ka parë të shtëna në afërsi të një patrulle të tij në Zubin Potok njëra nga katër komunat e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dieles, ndërsa KFOR-i tha se nuk ka të lënduar e as dëme materiale. Më herët, Policia e Kosovës hedhur poshtë raportimet e mediave serbe se ka qenë e përfshirë në shkëmbim zjarri në Zubin-Potok.
“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi. PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, thuhet në njoftimin për media. Mediat serbe kanë raportuar të dielën mbrëma se rreth orës 19:45 janë dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok, dhe se të shtënat kanë ndodhur pasi Policia e Kosovës ka dashur të heqë njërën nga barrikadat në këtë komunë në veri të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në Facebook se lojërat e presidentit serb Alesandër Vuçiç dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Ai tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”.

