Bota
Sulmohet rafineria në jug të Moskës, përfshihet nga flakët, mbrojtja ajrore ruse rrëzoi më shumë se 22 drone

Një rafineri në jug të Moskës u përfshi nga flakët nga një sulm ukrainas, ndërsa mbrojtja ajrore ruse rrëzoi më shumë se 22 drone. Sipas autoriteteve dhe mediave ruse, një rafineri ruse ka marrë flakë sot në Ryazan, në jug të Moskës, pas një bastisjeje nga dronët ukrainas.
Kievi ka intensifikuar sulmet ajrore kundër objekteve energjetike dhe ushtarake ruse në muajt e fundit, pjesë e një fushate që ai thotë se është në hakmarrje për bombardimet ruse të qyteteve të Ukrainës dhe rrjetit energjetik të Ukrainës.
Bastisja u regjistrua në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin thonë se duan të negociojnë një zgjidhje të konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur, i cili shpërtheu me pushtimin e ushtrisë ruse në territorin ukrainas saktësisht tre vjet më parë.
“Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse shkatërruan dy dronë në hapësirën ajrore të Ryazanit”, tha sot përmes Telegram guvernatori rajonal Pavel Malkov.
Sipas mediave ruse, kompania që ka marrë flakë është rafineria e naftës Ryazan, një nga më të mëdhatë në Rusi, në pronësi të gjigantit të industrisë së naftës Rosneft. Rafineria ka qenë tashmë objektiv i dy sulmeve me dron që nga fundi i janarit, për të cilat Kievi mori përgjegjësinë.
Më herët, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se kishte shkatërruar 22 mjete ajrore pa pilot të Ukrainës gjatë natës në qiejt e rajoneve ruse dhe gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia.

