Connect with us

Kosova

Sulmojnë serbët, Vuçiç: U zhgënjeva nga amerikanët

Serbët sulmojnë EULEX-in, Ambasadat e SHBA në Prishtinë dhe Beograd: Të çmontohen postblloqet! Vuçiç: U zhgënjeva nga amerikanët

Ambasadat e SHBA në Prishtinë dhe Beograd janë në të njëjtën linjë për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ku është sulmuar me bombë patrulla e EULEX. Në një reagim ato kërkojnë që të çmontohen postblloqet dhe t’i jepet fund kërcënimeve me dhunë dhe frikësimit. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është tërhequr nga gjuha e ashpër pasi tha se barrikadat në veri të Kosovës nuk i vendosën serbët. Po ashtu shtoi  se ndihet i zhgënjyer nga amerikanët ndërsa theksoi se nuk janë vendosur nga serbët barrikadat. Pas tensioneve të krijuara ai gjithashtu u bëri thirrje serbëve  që të mos bien pre e provokimve, ndërsa shqiptarëve që të ruajnë paqen.

Kosova ka zgjedhur paqen dhe demokracinë, për t’i dhënë zgjidhje situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se Kosova është Qeveria e paqes. E pikërisht me këtë zgjedhje, Kurti shprehet se ndryshe nga Kosova, Serbia ka zgjedhur të shkuarën, me luftë e gjenocid duke u shkëputur nga ndikimi Perëndimor dhe Evropian për t’u “mbështetur” nga Kina dhe Rusia. Situata e tensionuar kulmoi me mesazhin në rrjete sociale të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç i cili me terminologjitë e luftës, shprehet se Beogradi nuk do të dorëzohet.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka ftuar qytetarët serb të reflektojnë nga dirigjimi propagandistik i presidenti serb, Vuçiç i cili nuk ka qëllim rrugën evropiane. Kurti i ftoi qytetarët serb edhe në këtë situatë kaq të brishtë, të bisedojnë, qeverisin e dialogojnë së bashku, ashtu siç do bënte një vend demokratik.

Persa a u përket tensioneve në veri, duket se situata ende nuk është e qetë, më herët mediat raportuan për një sulm me bombë në patrullën e EULEX-it. Kurti shton se është i gatshëm të dialogojë me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje finale me kusht që në qendër të bisedimeve të jetë njohja e Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur e sovran.

“Jam i gatshëm që sa më parë të kemi një marrëveshje finale, natyrisht me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes. Nervozomini i Beogradit nuk ka të bëjë gjendjen në Kosovë, ne jemi në nja shkallë përparimi pavarësisht se nuk njihemi nga Serbia. Ata dëshirojnë që nga Franca e Gjermania të shkojnë te Kina dhe Rusia. Kryeministrja e Serbisë e zgjodhi Kinën që të japë deklarata për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.”-tha kryeministri i Kosovës, Kurti.

Ecuria e Kosovës në shinat Evropiane kanë qenë shkaqet e “shpërthimit” të tensioneve nga Serbia, të cilët edhe pse nuk e njohin, Prishtina ka pasur një sukses ndërkombëtar të jashtëzakonshëm. Kryeministri i Kosovës, Kurti shprehet se dëshira e Serbisë është animi nga propozimi franko-gjerman në Kinë dhe Rusi, pasi janë pikërisht këto vende që preferojnë gjuhën e lutës dhe gjenocidit.

Pothuajse e gjithë dita e dielë ka qenë e tensionuar pas shpërthimeve të fuqishme që ndodhën në Zveçan, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh. Barrikadat e vendosura u përforcuan me makineri të rënda, sidomos në fshatin Soqanicë dhe Rudare, ndërsa janë vendosur edhe tenda për qytetarët. Të bllokuara deri në mbrëmje mbeten rrugët për në Bërnjak dhe Jarinje.

Policia e Kosovës ka vazhduar patrullimet gjatë ditës nëpër lagjet e banuara me popullatë të përzier në veri, për të garantuar rendin publik, si dhe duke ofruar siguri për të gjithë banorët pa dallim. Situata në veri të Kosovës u tensionua pas arrestimit të ish policit serb, Dejan Pantiç.

Dje është sulmuar me bombë të kontrolluar patrulla e EULEX-t në veri të Kosovës. Rrugët kryesore në veri po mbahen të bllokuara nga grupe të serbëve ndërsa autoritetet u detyruan të mbyllin dy pikat kufitare me Serbinë – Jarinje dhe Bërnjak. Ditën e djeshme, në veri ka patur një situatë dramatike me bomba, sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese.

Ndërkombëtarët janë bërë bashkë, për të dënuar sulmin e paprecedentë të forcave KFOR, EULEX dhe policisë së Kosovës në veri duke shtuar se autorët duhet të thirren përpara drejtësisë për aktet e tyre.

Një reagim tjetër erdhi edhe nga Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç. Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është “i vetmi që dëshiron konflikte dhe luftë” dhe se “Beogradi dhe populli serb dëshirojnë paqe dhe gjithmonë insistojnë në paqe”.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë, janë “krejtësisht të papranushme”. Në një postim në Twitter, Baerbock tha se Kosova uli tensionet me shtyrjen e zgjedhjeve, por Serbia po bën të kundërtën.

“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm. Kështu janë edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it. E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga Lajçak”, shkroi Ministrja gjermane.

Në përfundim të seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se u kërkon shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë që të ruajnë paqen. Po ashtu bën thirrje që serbët të mos bien pre e provokimeve. Sipas tij janë marrë masat për mbrojtjen e Serbisë, por nuk dha detaje kokrete.

“U bëj thirrje serbëve në veri të Kosovës që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve. Janë marrë masat e duhura për mbrojtjen e atdheut tonë”, tha ai pas një takimi të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.

Duke iu referuar reagimit të ambasadës së SHBA në Prishtinë dhe Beograd, Vuçiç tha se “është i tronditur me deklaratat e disa zyrtarëve evropianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”.

“Askush prej Beogradit nuk i ka urdhëruar barrikadat. E kuptova shumë mirë atë mesazh dhe e prisja, megjithëse jam i zhgënjyer. Ata kanë fëmijën e tyre dhe po e mbrojnë. Fëmijën shqiptar e krijuan 20 vjet më parë, tani thonë se barrikadat janë problem”, tha ai.

Presidenti i Serbisë tha se për të kjo është dita më e vështirë që kur ka qenë president apo kryeministër dhe se nata më e vështirë është përpara.

Vuçiç porositi serbët në veri se sulmet mbi misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe atë të BE-së, EULEX, “nuk guxojnë të ndodhin”.

Në një deklaratë të përbashkët për media, ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd ka reaguar lidhur me tensionet në Veriun e Kosovës. SHBA ashtu kërkon heqjen e barrikadave dhe përmbajtje të palëve që të shmangin çdo përshkallëzim.

SHBA-ja dënon të gjitha sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Në deklaratë e përbashkët thuhet se arrestimi i të personit të dyshuar se autoritetet kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor (referuar Dejan Pantiç) po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

“Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës. Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim vlerësimin dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.

I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese.”, thuhet në deklaratë.

Advertisement