Sport
Sylvinho shmang euforinë: Përgjegjësi e madhe, jemi afër play-off-it, moment historik për Shqipërinë
Kombëtarja e Shqipërisë do të zbresë në fushë kundër Andorrës, në orën 20:45, për raundin e parafundit të kualifikueseve të Botërorit 2026. Një fitore do të ishte vendimtare për kuqezinjtë, të cilët, nëse Anglia triumfon në ndeshjen e saj ndaj Serbisë, do të siguronin për herë të parë në histori fazën “play-off” të Botërorit. Në prag të këtij takimi, trajneri Sylvinho doli në konferencë për shtyp, ku analizoi kundërshtarin, pritshmëritë dhe përgatitjet e skuadrës.
“Një ndeshje ndryshe, e vështirë për t’u luajtur”
“Imagjinojmë që do të jetë një ndeshje ndryshe nga e para,” tha tekniku brazilian. “Andorra ka trajnerin Koldo Alvarez që i njeh shumë mirë lojtarët, kanë mbrojtje të fortë dhe luftojnë për çdo centimetër në fushë. Nuk është një ndeshje e lehtë. Ne e dimë që duhet të jemi të përqendruar maksimalisht për të fituar.”
“Afrohet Botërori, një shans historik për Shqipërinë”
Sylvinho e pranoi se ekipi është pranë një momenti historik. “Po rritemi si Federatë dhe si skuadër. Diferencat janë gjithnjë e më të vogla. Tani jemi afër ‘play-off’-it të Botërorit, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi, nëse bëjmë një ndeshje të mirë ndaj Andorrës, gjithçka është e mundur.”
“I njëjti shpirt si ndaj Anglisë”
Trajneri konfirmoi se Shqipëria do të ruajë identitetin e saj. “Ekipi do të jetë i njëjti që nisi kualifikueset kundër Anglisë, me të njëjtin shpirt dhe ekuilibër. Mund të ketë ndryshime të vogla në formacion, por qëllimi është i qartë: fitorja.”
“Nuk është kundërshtar i lehtë”
Në fund, Sylvinho kërkoi përqendrim maksimal nga lojtarët: “Ne e dimë që përgjegjësia është e madhe. Lojtarët janë të motivuar dhe atmosferën e ndiej shumë pozitive. Dikush mund të mendojë se Andorra është kundërshtar i lehtë, por në futboll asgjë nuk është e thjeshtë. Do të jetë një ndeshje e vështirë që kërkon durim dhe përkushtim.”