Bota
Synojnë bankat dhe transportin e naftës/ Reuters: Uashingtoni ka sanksione të reja gati për Rusinë
Administrata Trump po përgatit sanksione shtesë që mund të vendosen ndaj Rusisë nëse Vladimir Putin vazhdon të vonojë përfundimin e luftës në Ukrainë. Kështu deklaroi për Reuters një zyrtar amerikan dhe një burim tjetër i njohur me çështjen. Zyrtarët amerikanë u kanë thënë gjithashtu homologëve të tyre evropianë se Uashingtoni mbështet përdorimin e aseteve të ngrira ruse nga Bashkimi Evropian për të blerë armë amerikane për Kievin.
Gjithashtu ka filluar diskutime të brendshme rreth përdorimit të fondeve ruse të mbajtura në Shtetet e Bashkuara për të mbështetur përpjekjet e luftës në Ukrainë. Ndërsa nuk është e qartë nëse Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend t’i zbatojnë masat menjëherë, ekzistenca e një plani gjithëpërfshirës sugjeron që Shtëpia e Bardhë ka mjetet për të përshkallëzuar më tej, pas vendimit të Trump për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për herë të parë që nga kthimi në pushtet në janar.
Trump, i cili e quan veten një paqebërës global, ka pranuar se përpjekjet për t’i dhënë fund luftës më shumë se trevjeçare në Ukrainë po rezultojnë më të vështira nga sa priste. Aleatët evropianë, të cilët janë përballur me luhatjet e Trump midis retorikës pajtuese dhe asaj të zemëruar ndaj Putinit, shpresojnë që ai të vazhdojë presionin mbi Moskën, ndërsa shqyrtojnë edhe lëvizjet e tyre të reja.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se do të donte të shihte evropianët të ecnin përpara me lëvizjen e madhe të radhës kundër Rusisë, qoftë me sanksione shtesë ose tarifa. Një burim tjetër tha se Trump ka të ngjarë ta ngrijë procesin për disa javë për të vlerësuar përgjigjen e Moskës ndaj sanksioneve të së mërkurës.
Sanksionet synojnë kompanitë e naftës Lukoil dhe Rosneft, të cilat kanë rritur çmimet e naftës mbi 2 dollarë dhe kanë nxitur blerësit e mëdhenj kinezë dhe indianë të naftës bruto ruse të kërkojnë burime alternative.
Sanksionet mbi bankat dhe infrastrukturën energjetike
Disa nga sanksionet shtesë që Uashingtoni ka përgatitur synojnë sektorin bankar të Rusisë dhe infrastrukturën e transportit të naftës, sipas një zyrtari amerikan. Javën e kaluar, zyrtarët ukrainas i paraqitën SHBA-së propozime për masa të reja, duke përfshirë një përjashtim të plotë të të gjitha bankave ruse nga sistemi i dollarit. Megjithatë, është e paqartë nëse këto propozime po shqyrtohen seriozisht.
Kongresi amerikan po lëviz gjithashtu në këtë drejtim, pasi një grup ligjvënësish po ringjall një projektligj për sanksione dypartiake që ishte “ngrirë” për muaj të tërë. Trump thuhet se është i gatshëm ta mbështesë atë, megjithëse, sipas një zyrtari, kjo nuk ka gjasa të ndodhë në tetor.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së nuk komentoi për këtë çështje, ndërsa Kirill Dmitriev, i dërguari special i Putinit për investime dhe bashkëpunim ekonomik, tha të premten se besonte se Rusia, SHBA-ja dhe Ukraina ishin afër një zgjidhjeje diplomatike.
Nga ana e saj, zëdhënësja e ambasadës ukrainase në Uashington, Halina Yusipyuk, tha se vendimi për sanksionet e reja ishte i mirëpritur, duke shtuar: Çmontimi i makinës ruse të luftës është mënyra më humane për t’i dhënë fund kësaj lufte./D