Connect with us

Kosova

Szunyog për dialogun Kosovë-Serbi: Mund ta çosh kalin te burimi, por s’mund ta detyrosh të pijë ujë 

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, duke folur për mungesën e progresit në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një intervistë për “Radio Gorazdevac”, deklaroi se “mund ta çosh kalin te burimi, por s’mund ta detyrosh të pijë ujë”.

“Kolegu dhe miku im [Emisari Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd], Mirosllav Lajçak, përdor një proverb se kuajt mund t’i çosh te burimi, por nuk mund t’i detyrosh të pinë ujë. Ne jemi aty ku jemi”, theksoi Szunyog, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e progresit në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, pavarësisht përpjekjeve diplomatike të BE-së.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç supozohet se e pranuan një marrëveshje më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës. Pastaj u arrit një dakordim për planin e sekuncimit të marrëveshjes më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, asnjëra nga palët nuk e ka zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

Liderët e BE-së gjithashtu presin që palët të kontribuojnë në krijimin e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që Kosova dhe Serbia kanë marrë përsipër, veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe në mes të marsit në Ohër.

Advertisement