Shkrime
Ta kuptosh Shqipërinë si evropian, falë një kanoçeje Coca Cola

Kush mendon se letërsia është thjesht një vegël e mendjes për të kapur vëmendjen dhe shpirtin e tjetrit, e sheh ndoshta cekët gjënë, sepse letërsia e vërtetë, është ajo e cila sjell revolucionin e rebelimin ndaj një mendësie të caktuar.
Ata që duan, sot kuptuan se zhvillimi i madh i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, nuk paska qenë i rastësishëm dhe se interesat, të ndërthurura me një revolucion të mendësisë evropiane kundrejt shqiptarëve, kanë sjellë më shumë zhvillim në vitet e fundit, se sa në gjithë kursin demokratik të vendit.
Dhe pjesa më e bukur është se e gjitha u krye falë një kanoçeje Coca Cola!
Antonio Costa, Presidenti i Këshillit të Evropës, na e kishte dhënë një pamje të parë të tillë më 19 dhjetor 2024, kur i pati dhuruar liderëve evropianë dhe atyre ballkanikë librin e shkrimtares, mendimtares shqiptare, Lea Ypi, “Të Lirë”.
Ia pati vendosur asokohe në tryezë atyre, si dhuratë, pasi ia kishte dhënë kryeministri Edi Rama dhe i pati lënë mbresa të mëdha.
Më 15 maj, na e shpjegoi edhe pse, gjatë një konference me Edi Ramën, kur u pyet rreth ecurisë së rajonit.
“Nuk më lë një kanoçe Coca Cola që më ka dhuruar kryeministri Rama që ta harroj Ballkanin. Sapo shkoj në zyrë, ajo kanoçe, kuptohet më e ndryshme dhe e punuar bukur, më del përpara”, tha ai në konferencë.
Dhe në fakt sytë e Costa-s dukej se po shkëlqenin kur fliste veçse për një kanoçe Coca Cola, e cila për Evropën nuk do të thotë asgjë, por për Shqipërinë, është mishërimi i një ëndrre për të qenë si Perëndimi, si bota, si Evropa.
Dhe ndoshta Costa kurrë nuk do ta kuptonte simbolikën, të mos kishte qenë një pasazh brilant në librin e Ypit, ku shpjegohet se si në bufetë e shtëpive shqiptare, me fanatizëm ruhej ndonjë kanoçe e zbrazët Coca Cola, a ndonjë shishe, ndonjë pako me çamçakëzë.
Pra, çfarëdo lloj gjëje, e cila në mend mund të të sillte Perëndimin.
Sepse Costa, e tha qartë dhe vendi i tij, Portugalia, përpara katër dekadash nuk ishin pjesë e Bashkimit Evropian dhe u bënë asokohe.
Po Shqipëria, pse harrohet se ku ka qenë? Pse kujtesa kolektive e një populli ndalet në një afat kaq të shkurtër, ndërkohë që 40 vjet më parë, por edhe 30, familjet e të gjithëve mbanin kanoçet e Coca Cola-s në banak, për të pasur sytë nga Perëndimi.
Dhe bën aq sens e gjitha, se si dikur shqiptarët, ballkanasit, shihnin në një kanoçe Perëndimin, ndërsa sot Perëndimi, sheh tek kanoçja Ballkanin dhe rrugëtimin e gjatë që ka kaluar.
Shqiptarëve nuk duhet t’u duhen evropianët për t’i hapur sytë se nga vijnë e ku janë sot.
Ndërsa, sa u takon evropianëve, më nuk duhet të shqetësohemi: Lea Ypi e ka kryer një mision të vështirë me shkronjat e saja elegante. Në BE e dinë se shqiptarët janë si ata!
VITJON NINA

