Kosova
Takim me Lajçak/ Osmani: Kriminelët duhet të përballen me drejtësinë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar sot emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin folën për situatën në veri.
Osmani tha se gjatë takimit u diskutua për përpjekjet për shtensionimin e situatës në veri por edhe për nevojën prë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
“Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeotn Klankosova.tv.
Tutje, bëhet e ditur se Osmani i tha Lajçakut se grupet dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it dhe të EULEX-it duhet të përballen me drejtësinë.
“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se aktualisht, Lajçak pas Osmanit është duke e mbajtur një takim me kryeministrin Albin Kurti, në përpjekje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.