Connect with us

Shkrime

Takimi i paqes në tokën e akullt: Mësimet e Alaskës për diplomacinë

Nga Amb. Zef Mazi

Komentatorë, ushtarakë, strategë, gazetarë dhe mediat e administratave qeveritare, gjejnë çdo mënyrë për të përdredhur e shtrembëruar realitetin. Ata prekin vetëm sipërfaqen e çka ata duan ta shohin dhe si duan ta shohin. Një analizë e ftohtë profesionale tregon se takimi i dy presidentëve në Alaskë ishte historik, një fitore e madhe për diplomacinë dhe për politikën realiste pas një mungese totale të një takimi dhe bisede direkte për katër vjet. Takimi është herezi, krejt i panevojshëm dhe i papëlqyeshëm për disa evropianë dhe luftënxitës!

Trampi mirëpriti Putinin ngrohtë dhe me respekt. Edhe Putini tregoi kortezi dhe respekt, siç u takon udhëheqësve të shteteve të mëdha. Buzëqeshjet, ngrohtësia, shtrëngimi i duarve që në momentet e para treguan angazhim miqësie dhe dëshirë për të punuar së bashku, përmes dialogut, diplomacisë dhe bisedimeve për shumë çështje, dhe për të zgjidhur konfliktin shumëplansh në Ukrainë, që mund të përshkallëzohet rrezikshëm në katastrofë bërthamore. Kjo marrëdhënie midis dy superfuqive bërthamore ka simbolikën e vet. Ajo i dha fund në pak minuta edhe fyerjeve dhe baltës të hedhur prej vitesh nga mediat dhe qeveritarë perëndimorë.

Tre orë bisedime me dyer të mbyllura është kohë e mjaftueshme për të dëgjuar dhe për të filluar të kuptoheshin me njëri-tjetri më mirë, direkt, pa ndërmjetës. Bisedimet ishin shumë të mira dhe produktive për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, thanë presidentët në konferencë shtypi. Nuk u dhanë hollësi për çka ishte biseduar, çfarë ishte rënë dakord dhe cilat çështje ende kanë mbetur për të përfunduar luftën në Ukrainë. Prandaj, mbetet një lloj “misteri”, se shumë pak doli në publik. Kjo është praktika e negociatave politiko-diplomatike, nuk ka asgjë për t’u habitur.

Dukej se dy presidentët kishin arritur të kuptonin arsyet e konfliktit, që ka shumë rëndësi, dhe se konflikti duhet të përfundojë me një marrëveshje paqeje të plotë dhe të qëndrueshme. Ata folën ballë për ballë për perspektivën e paqes dhe për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale. Rezultoi se duhet bërë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për paqe para armëpushimit. Kjo tregon se është kuptuar një aspekt kritik i narrativës, se konflikti është nënprodukt i NATO-s, me Trampin që gjithashtu kritikoi lëvizjen e Bajdenit për të mirëpritur Ukrainën në NATO, çka nxiti invazionin rus. Duhen shikuar së bashku çfarë ka vëzhguar Trampi për zgjerimin e NATO-s dhe deklarata e Sekretarit të Shtetit, Rubio, se lufta në Ukrainë është luftë midis SHBA-së dhe Rusisë përmes një të treti.

Arsyetimi evropian se mospushimi i zjarrit do t’i japë Rusisë mundësi të marrë më shumë territor dhe të ketë më shumë karta të forta në dorë për negociata duket se nuk ka bazë. Ideja e armëpushimit, që u përsërit shpesh dhe u shty me forcë, deri në nivel foshnjor, nga evropianët në takimin me Trampin, u zmbraps bindshëm prej tij. Trampi e di mirë se kjo është e papranueshme, diçka që “nuk starton”, për rusët! Ajo që kuptohet është se Trampi dhe administrata e tij kanë marrë vendimin për t’i dhënë fund luftës. Situatës aktuale i ka ardhur fundi. Ndoshta barra do t’i kalohet atyre që duan vazhdimin e saj, Evropës. Pozicionet e “dhembshurisë” nuk janë bindëse. Ata që shtyjnë, direkt dhe indirekt, që të vazhdojë lufta, ndjekin vetëm synimet e tyre politike, dritëshkurtër dhe nuk u dhimbsen Ukraina që ka paguar dhe po paguan aq shtrenjtë.

A mundet Evropa t‘a përballojë barrën e “mbajtjes mbi ujë” të Ukrainës kur Trampi duket i angazhuar për të ndërprerë dërgimin e armëve dhe fondeve në Ukrainë? Po të krahasohet gjendja e borxhit në raport me PBB vetëm në tetë vende evropiane të NATO-s, kuptohet sa është sahati. (Greqia: 152.5%; Italia: 137.9%; Franca: 114.1%; Belgjika: 106.8%; Spanja: 103.5%; Britania e Madhe: 100%; Portugalia: afërsisht 99%; Finlanda: afro 89%. Shtatë prej tyre nuk do të kenë rritje PBB-je në 2025, dmth. nga 0.3% deri 0.6%. Portugalia duket disi më mirë, projektimi i rritjes është me 1.5%. Gjermania thuajse nuk ka rritje, dhe projektohet 0.3% për 2025.)

Ku do të gjenden paratë për të blerë armë nga Amerika? Do të marrin borxh dhe do të rrisin borxhin e tyre! Rritja e shpenzimeve ushtarake ngre çështjen e mundësisë të qëndrueshmërisë të shpenzimeve për qeveritë evropiane, me fonde të harxhuara dhe një popullsi që po vuan pasojën e ngritjes të çmimeve të gazit pas shpërthimit të “Nord Stream” dhe ndërprerjes të furnizimit me gaz të Evropës. Kam parasysh edhe se Brukseli synon t’i japë fund importeve të energjisë ruse në fund të vitit 2027. Nuk mendohet për vendet dhe popujt e tyre thjesht për hir të synimeve të drejtuesve politik të këtyre vendeve. Jo fort e mençur!

Trampi deklaroi se Kievi do të jetë i përfshirë në finalizimin e marrëveshjes. Duhet të kuptohet mirë ndryshimi midis fjalëve “marrëveshje” dhe”zgjidhje”. Putini tha se lufta në Ukrainë ishte provokim i administratës të Bajdenit, ajo është tragjedi që nuk do të kishte ndodhur sikur të ishin reciprokuar propozimet dhe ofertat diplomatike para shkurtit të vitit 2022. Lufta duhet të mbarojë duke eliminuar shkaqet që janë në rrënjë të saj. Lexo: duke adresuar shqetësimet e sigurisë për zgjerimin e pandërprerë të NATO-s deri në kufijtë e Rusisë në tre dekada.

Lufta ose do të vendoset të përfundojë në linjën e bisedimeve Tramp-Putin, ose do të përfundojë në fushëbetejë, siç ka marrë rrugë. U dëgjua nga “nxënësit” evropianë në SHBA se duhen “garanci sigurie” për Ukrainën dhe Evropën. Por ata nuk thanë se çfarë kuptojnë me ato fjalë, nuk thanë asnjë fjalë se edhe Rusia do “garanci sigurie”! Ata thanë “garanci” sipas tipit të nenit 5 të NATO-s. Duket ua kanë mësuar ato dy fjalë, por po t’a kishin lexuar vetë nenin 5 do t’i kursenin ato fjalë. Është mirë të njihet çfarë thotë ky nen dhe si keqpërdoret, apo manipulohet, me të:

“…një sulm i armatosur kundër një ose (pale) më shumë prej tyre do të konsiderohet sulm kundër të gjithëve dhe, për pasojë, ata bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë i armatosur, secili prej tyre, duke ushtruar të drejtën e mbrojtjes individuale ose të vetë-mbrojtjes kolektive sipas nenit 51 të Kartës të OKB-së, do të ndihmojnë palën ose palët e sulmuara duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe së bashku me palët e tjera, ato veprime që ata i ndjejnë të domosdoshme, përfshirë përdorimin e forcës të armatosur, për të siguruar dhe ruajtur sigurinë e zonës të Atlantikut Verior. Çdo sulm i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rezultat i tij, do raportohen menjëherë në Këshillin e Sigurimit…” Theksimi tregon jo domosdoshmërisht dhe automatikisht përdorimin e forcës të armatosur por, ndër të tjera, përfshirë edhe atë!

Mendohet se pas atyre bisedimeve të rëndësishme do të fillojë, dhe ka filluar, bashkëpunimi për shqetësime mjaft më të mëdha me dimension botëror, si kontrolli i armëve dhe çarmatimi bërthamor (Traktati Start i Ri skadon në shkurt 2026), projekte energjetike dhe gjeoekonomike strategjike, Arktiku, aleancat, një kuadër i ri sigurie ndërkombëtare, një rend i ri botëror, “pa forcuar sigurinë e njërit në kurriz të sigurisë të tjetrit” – kjo ka 30 vjet që figuron në dokumentacionin politik të miratuar bashkërisht.

Janë tre fronte që mund të karakterizohen si rrezik për përdorim të armëve bërthamore: Evropa Perëndim-Lindore kundër Rusisë, aleanca SHBA-Izrael-Vendet e Gjirit-Turqia kundër Iranit plus (Azerbajxhani, mësohet se Turqia po përgatit të dërgojë trupa në Qipro, lidhet me IzraeliN?), si dhe aleancat në Paqësor, përfshirë Australi-Britani-SHBA (AUKUS), Japoni-Kore e Jugut-SHBA (JAKUS), Japoni-Filipine-SHBA (JAPHUS) dhe Japoni-Australi-Indi-SHBA (Quad). Përse, kundër kujt janë gjithë këto?!

Kjo gamë e gjerë çështjesh do të marrë rrugë diskutimi dhe rregullimi në marrëdhëniet Amerikë-Rusi, pavarësisht grimasave, i pëlqen ose jo disave. Dy fuqitë më të mëdha bërthamore kanë përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe për të ruajtur paqen në botë duke u përpjekur për marrëdhënie normale diplomatike. Ideologjia e Luftës të Ftohtë, rrethimi dhe tensionet ngado kundër Rusisë janë të lexueshme. Ato nuk sjellin gjë të mirë, siç nuk kanë sjellë deri sot. Trampi është i sinqertë për rivendosjen e dialogut dhe marrëdhënieve normale diplomatike me Rusinë, së paku kështu besohet.

Samiti në Alaskë ishte hapi i parë drejt një paqeje të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe drejt bashkëpunimesh që do të sjellin vetëm mirë. Të jesh kundër tregon deficit analize të zgjuar, largpamësie, cekësi të mbushur me propagandë, bazuar në besim të rremë dhe ndjenja fobie që nxisin narrativat e gabuara.

Advertisement