Politike
Takimi i Ramës në shesh/ Berisha: Do e kallëzojmë në SPAK çdo punonjës që ka shkelur ligjin elektoral

Kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike do të depozitojë një kallëzim penal për mitingun e organizuar nga kryeministri Edi Rama në Sheshin Skënderbej, ku sipas tij, administrata publike dhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës janë detyruar të marrin pjesë.
Gjatë një konference për mediat, Berisha e cilësoi këtë miting si “funerali politik i Erion Veliajt” dhe akuzoi qeverinë për presion ndaj administratës.
“Ne do të bëjmë kallëzim penal. Jemi të bindur se SPAK shqyrton me përparësi të madhe dosjet që i dorëzon qeveria, ndërsa tonat i neglizhon. Por drejtësia vonon, por nuk harron,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se pjesëmarrësit në miting kishin frikë të shfaqeshin në kamera dhe i quan atë aktivitet “mitingu i parë i maskave”.
“Njerëzit fshihnin fytyrat sepse e dinin që ishin detyruar të merrnin pjesë. Ata nuk donin të përfshiheshin si dëshmitarë të një procesi të paligjshëm,” tha Berisha.
Ish-kryeministri paralajmëroi se çdo punonjës që ka shkelur ligjin elektoral do të ndëshkohet dhe se ky krim do të konsiderohet si shkelja më e rëndë.
Ai e lidhi situatën në Shqipëri me zhvillimet politike në SHBA, duke përmendur zgjedhjen e Kash Patel si drejtor të FBI-së dhe fitoren e Donald Trump.
“Nëse ne nuk ndëshkojmë krimin elektoral, atëherë me duart tona i hapim gropën demokracisë shqiptare,” përfundoi Berisha, duke theksuar se PD do të vijojë betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

