Connect with us

Kosova

“Takimi me Kurtin i pasuksesshëm”, Krasniqi: Mentaliteti imponues, më i rëndësishëm sesa gjetja e zgjidhjes së bllokadës!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas takimit me kryeministrin Albin Kurti është shprehur se  diskutuar rrugëdalja nga kriza parlamentare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Krasniqi e cilësoi takimin si një “aktrim” nga ana e Kurtit, duke thënë se ai ishte i motivuar vetëm për të përmbushur formalisht një detyrim që Kushtetuesja ia ngarkon për konsultime në mirëbesim. Ai shtoi se takimi ishte i pasuksesshëm dhe se Kurti është i njëjtë.

“Takimi që u ftua nga Kurti për të aktruar mbushjen e një obligimi që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia jep për konsultime në mirëbesim dhe përgjegjësinë për të gjetur kompromis, rezultoi i pasuksesshëm, sepse përkundër faktit se situata s’është e njëjtë, Kurti është i njëjtë. Mentaliteti imponues vazhdon të jetë për të më i rëndësishëm se sa gjetja e zgjidhjes dhe përfundimi i bllokadës”, deklaroi Krasniqi.

Ai gjithashtu kritikoi qëndrimin e Vetëvendosjes për refuzimin e votimit të fshehtë në komisionin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke e konsideruar si një tjetër shenjë të mungesës së vullnetit për kompromis. Takimi i liderëve u mbajt në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të ri, të cilin Kushtetuesja ka urdhëruar të realizohet brenda 30 ditësh nga aktgjykimi i fundit.

Advertisement