Aktualitet
Takimi me rabinin izraelit/ A i mbylli Rama negociatat për Sazanin?
Edi Rama la Tiranën të hënën pasdite dhe udhëtoi drejt Vlorës, ku priti një rabin izraelit, të quajtur Yosiyahu Yosef Pinto, drejtues i lëvizjes “Shuva Israel” (Kthehu në Izrael) me shtrirje në Izrael, SHBA, France, Argjentinë etj.
Mesazhi në anglisht i Ramës shoqërohet me titra poshtë, për t’u siguruar se dikush tjetër, nëse nuk i dëgjon dot, ta ketë më të lehtë ta kuptojë.
Vizita e rabinit Yosiyahu Yosef Pinto nuk ka lidhje me fenë apo misionin e tij si klerik. Nga lidhjet që rabini ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga marrëdhënia speciale që ai gëzon me disa prej njerëzve më të fuqishëm në New York, përfshirë edhe familjen Kushner, duket se vizita kishte si synim, mbylljen e marrëveshjes për Sazanin.
Lidhjet rabinit Pinto me familjen Kushner
Yosiyahu Yosef Pinto është rabini i fundit i disa brezave rabinësh që u kthyen nga Maroku për në Izrael. Në dejet e tij rrjedh gjaku i disa udhëheqësve shpirtërorë, të cilëve hebrenjtë u njohin disa mrekulli, si pjesë e një besimi mistik, ku drejtuesi shpirtëror ruan lidhje ekskluzive me zotin.
Yosiyahu Yosef Pinto bashkë me gjyshin e tij, David Hanania Pinto kanë krijuar një kompleks shkollash dhe sinagogash në Izrael, New York, Francë, Argjentinë etj me shtrirje në të gjithë botën dhe me ndikim të fortë në komunitetin amerikano-hebre në Shtetet e Bashkuara.
Mbështetës të tyre janë dy fondacione të veçanta të familjes Kushner, në bordet e të cilave shërben Jared Kushner, që kanë dhënë disa qindra mijëra dollarë grante për qendrën e studimit të Torahut, Pintos në New York City.
Mediat kanë raportuar prej vitesh se dhendri i Donald Trump, Jared Kushner është ndjekës i riteve të linjës së besimit ultra-ortodoks modern, që ka të bëjë me rabinët Pinto. Në të njëjtën linjë besimi është konvertuar edhe Ivanka Trump.
Por roli i udhëheqësit shpirtëror tek besimtarët hebrenj ultra-ortodoksë nuk kufizohet vetëm tek marrëdhëniet me zotin. Rabini Yosiyahu Yosef Pinto ka fituar edhe besimin e disa prej ndjekësve të tij të pasur edhe në çështje të biznesit.
Në rrethin e disa prej njerëzve më të pasur të New York, rabini konsiderohet edhe një këshillues në biznes, po aq edhe në çështjet shpirtërore, duke i kërkuar të bekojë marrëveshjet, të japë këshilla madje edhe të mallkojë konkurentët në biznes.
“Ata rrinë në radhë dhe presin t’i puthin dorën, madje luten të jenë në rrethin e tij të ngushtë për dëgjesa private” shkruan New York Post, në një artikull të posaçëm për rabinin.
Një studim i Aomar Boum, profesor i studimeve sefardike në Departamentin e Antropologjisë, Historisë dhe të Gjuhëve në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles ka hedhur më shumë dritë mbi profilin e këtij njeriu ndikimi i të cilit shkon deri tek vendimet e Trump gjatë fushatës zgjedhore.
Lapsi.al ka përkthyer një pjesë të shkurtër nga eseja që titullohet “Një kabalist maroken në Shtëpinë e Bardhë: Si ta kuptojmë marrëdhënien mes Jared Kushner dhe mistikut të tij marokeno-hebre”
Sipas esesë, rabini Yosiyahu Yosef Pinto njihet për ndikimin që ka në vendimet e biznesit që merr familja Kushner.
“Pasi u transferua në Nju Jork, Pinto zgjeroi “Ashdod yeshiva” e tij në një rrjet më të madh institucional të quajtur “Shuva Israel”, (Kthehu në Izrael) i cili përfshin një rrjet institucionesh hebraike, yeshivas, sinagoga dhe institucione të komunitetit. Në Manhatan, Pinto fitoi ndjekës të shumtë në mesin e anëtarëve të komunitetit të biznesit, të cilët e panë atë si një “udhërrëfyes shpirtëror që bën gjykime të mençura për biznesin dhe botën moderne, … i këshillon ata, i pajis me “energji” dhe shërben si ‘figura e babait’, së bashku me fuqizimin e veprimeve të tyre. Në fillimet e mbërritjes së tij në New York, Pinot zgjidhi një mosmarrëveshje ku ishin në mes shumë miliona dollarë mes Charles Kushner, babai i Jaredit dhe vëllait të tij Murray Kushner.
Pinto dihej gjithashtu se u kishte ofruar shërbime shumë ndjekësve në fushën e biznesit, politikës dhe sportit, duke përfshirë basketbollistin profesionist amerikan Lebron James”, ish-kongresmeni republikan Michael Grimm, manjati izraelit i biznesit Yitzhak Tshuva, sipërmarrësi amerikan Jay Schottenstein. Biznesmeni izraelit Nochi Dankner dhe ish-ministrja e jashtme izraelite Tzipi Livni”.
Mjaftojnë këta paragrafë për të kuptuar se rabini para të cilit përulej Rama në Vlorë erdhi për biznes në Vlorë. Dhe biznesi i Kushner në Shqipëri nuk është sekret. Dhëndri i Trump ka në plan investimin e 2 miliard dollarëve për komplekset turistike në Sazan dhe në Zvërnec dhe me gjasë takimi me klerikun hebre lidhet pikërisht me këtë projekt.
Jo më kot, kushdo që i rikthehet edhe një herë video-mesazhit të Ramës me Pinton, kryeministri i Shqipërisë nuk flet asnjë fjalë për muzeun për hebrenjtë, por ai flet për një projekt për të cilin do të bëjë ç’është e mundur që të realizohet dhe që kur hebrenjtë të vijnë në Shqipëri, ata të ndjehen mirë dhe të gjejnë ushqimet që preferojnë. A nuk është i tillë investimi i Kushner për Sazanin?
Dorian Kodra, ©Lapsi.al