Connect with us

Shkrime

‘Tallava’ shqiptare me vetmi dhe dështim në dashuri

Nga Artan Fuga

Tallava
(Nga sociologjia e krijimit artistik)
Nga vitet ’90 dhe më pas nisi të bëhet e thekshme një dukuri e re. U quajt muzika “tallava.
Në thelb, kjo lloj muzike, me thekse kryesisht orientale, me një vijë melodike karakteristike të Shqipërisë së Mesme, me fjalë që zakonisht ruajnë edhe ato dialektin e këtyre zonave, i ngjan më shumë një “ahengu” dasmash ose festash ku njerëzit bashkohen për t’u gëzuar dhe ndodhen nën ndikimin e avujve të rakisë, birrës dhe më rrallë edhe të verës.
Duket sikur këngëtari ose këngëtarja shkrihen në një me tingujt e festës, me publikun përreth dhe me atmosferën e ndezur nga pija.
Është interesante të theksohet se kjo lloj kënge penetroi dukshëm përgjatë dy dekadave të para pas vitit 1990 edhe në radio dhe në televizion. Sigurisht nuk është rasti këtu të studiohet në imtësi ky proces, por në thelb ai ndodhi sikurse ka ndodhur jo rrallë në kulturën e përbotshme artistike kur krijimtaria artistike popullore, disi e margjinalizuar, jo shumë e përpunuar në krahasim me kulturën artistike, sidomos në kohë krizash shoqërore, ndikon fort për të mos thënë se “pushton” krejt hapësirën e komunikimit artistik të shoqërisë.
Eshtë pikërisht kjo kohë kur në transmetimet televizive nis të penetrojë “tallavaja” që çuditërisht shoqërohet me elemente erotike jo vetëm në përmbajtjen e fjalëve të këngëve, por edhe në veshjen dhe lëvizjet sidomos të këngëtareve femra. Këto fundit nisën të vendosin përpara publikut dhe telespektatorëve edhe trupin e tyre që demonstron hapur forma gjysmë të zhveshura dhe kërcime “çingijesh”.
Rrapi urban lëvrohej më shumë nga këngëtarë meshkuj, kurse “tallavaja” mbizotërohej kryesisht nga këngëtare femra.
Mund të thuhet se asnjë dukuri e re artistike nuk është krejt e rastit. Ardhja e “tallavasë” në ekranet e televizorit lidhet më së pari me faktin se një pjesë e madhe e këngës të muzikës së lehtë të mëparshme kishte qenë e politizuar, pavarësisht se brenda saj ka pasur edhe krijime artistike me peshë. Këngët që i këndoheshin partisë, socializmit, madje edhe atdheut, jetës së lumtur, punës në uzina, kantiere, në fusha të lulëzuara me kultura bujqësore, kishin dalë jashtë mode, në një farë mënyre ishin diskredituar për shkak të përmbajtjes së tyre propagandistike. Ekranet e televizionit mbetën disi bosh.
Por, edhe jeta e përditshme e këngëtarëve u vështirësua. Ekonomikisht, ata tanimë duhej ta fitonin jetën e tyre duke kënduar pikërisht në mjedise dasmash dhe gëzimesh familjare. Ose duke shkuar jashtë vendit për të kënaqur shijet e emigrantëve shqiptarë nëpër botë.
Artdashësit e dikurshëm të sallave të shtëpive të kulturës, apo të koncerteve artistike, nuk ishin “punëtorët” dhe “fshatarët” e dikurshëm, “inteligjencia popullore” që duhej t’i edukonin me “frymën” e partisë, por ishin kryesisht të ftuar dasmash, dasmorë gjysmë të pirë. Duheshin kënaqur këta tashmë, të cilët “darovitnin” cash këngëtaret, të cilat duhet edhe të performonin duke vallëzuar midis dasmorëve të eksituar.
Duke qenë e vetmja formë e krijimtarisë artistike muzikore që ecte në realitet, kuptohet që edhe ajo do të vinte edhe në transmetimet televizive të kohës.
Gjithsesi me kalimin e kohës kjo lloj muzike nisi të zbehet për sa i përket pranisë së saj në transmetimet televizive. Ajo nisi të zëvendësohet gradualisht nga kënga e lehtë, e cila gjithsesi kërkon të modernizohet, dhe kësisoj njeh një lloj shkëputjeje nga shijet e publikut.
Përsëri e njëjta performancë e këngëtareve në studiot apo skenat televizive ku merr pjesë veç vokalit edhe një gjuhë trupi, me përmasa të theksuara erotike, si edhe bie në sy një veshje që le të shfaqet një lakuriqësi trupore e konsiderueshme. Tonaliteti i zërit të interpretuesit të këngës është disi i ashpër, i mprehtë, fjalët nuk artikulohen qartësisht, dhe mbi të gjitha kënga zakonisht mbështetet në një përqasje disi dramatike të jetës së përditshme: vetmia, tradhtia në miqësi, dështimi në dashuri, ankthi ekzistencial ndaj një jete që dikur ka një fund, etj.
Advertisement