Shkrime
Tani do shtohet presioni/ Janjiç për normalizimin marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Njohës të zhvillimeve politike kanë mendime të ndryshme për mënyrën se si do të ndikojë rezultati i zgjedhjeve në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.
Pushteti aktual, përkatësisht koalicioni rreth Partisë Përparimtare Serbe dhe Partisë Socialiste, e pranon Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por e kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Kosova është pjesë e Republikës së Serbisë, e shkruar në Kushtetutën e Republikës së Serbisë, ka qenë dhe do të jetë”, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në një tubim parazgjedhor, më 5 nëntor.
Në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.
Me Marrëveshjen e Ohrit, të arritur në mars, Kosova është obliguar ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ta njohë de facto Kosovën.
Bashkësia ndërkombëtare e ka rritur trysninë mbi të dyja vendet që ta zbatojnë atë sa më parë që të jetë e mundur, nga frika për qëndrueshmërinë rajonale.
Javën e shkuar, ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Qeveria e ardhshme e Serbisë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, te vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe rrugën drejt integrimit evropian. BE-ja, ndërkaq, kujtoi se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç, fajësojnë njëri-tjetrin për bllokimin e kësaj marrëveshjeje. Dushan Janjiç, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, tha se pret presion të shtuar mbi Beogradin për te normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, përkatësisht për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit.
Për më tepër, shtoi ai, paralajmërimet nga Bashkimi Evropian sugjerojnë se kjo marrëveshje do të futet në Kapitullin 35 të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE – kapitull që përfshin marrëdhëniet e këtij shteti me Kosovën. Një gjë të tillë e paralajmëroi edhe vetë Vuçic më 8 dhjetor, kur tha se “Marrëveshja e Ohrit mund të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE”.
Janjiç tha gjithashtu se nuk pret që në muajt e parë të vitit të ardhshëm të ketë takime të nivelit politik, përveç bisedime për çështje teknike.
“… sepse Vuçiç i ka dorëzuar të gjitha përmes Marrëveshjes së Ohrit. Unë këtë e them me përgjegjësi. A i ka dorëzuar Kosova të gjitha? Kjo mbetet të merret vesh” – Deklaroi Janjiç
“Unë pres që diku në fund të vitit të ardhshëm – nëse do të ketë stabilitet në Serbi – të ketë një konferencë të vogël, ku do të merrnin pjesë presidenti dhe kryeministri i Serbisë dhe Kosovës, me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe organizimin e grupit të QUINT-it [SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë]. Përmes kësaj konference do të arrihet deri te marrëveshja përmbyllëse”, beson Janjic.
Presion mbi Qeverinë e re serbe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kosovën pret edhe Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad.
“Ka premtime për para… pra, përmenden 6.3 miliardë euro si ndihmë për shtetet e rajonit, që janë për fazën e para-anëtarësimit në BE. Është thënë gjithashtu se nëse vendet nuk janë bashkëpunuese – dhe këtu është fjala për Serbinë dhe Kosovën – ato para do të shkojnë te vendet bashkëpunuese” – theksoi Popov, sipas te cilit, “Këto mjete janë “një lloj karote” nga Perëndimi për të stimuluar Serbinë dhe Kosovën që të jenë konstruktive në dialog”
Por, analisti politik në Kosovë, Agon Maliqi, pret që formimi i pushtetit në Serbi të zhagitet.
“Në Serbi do të ketë përpjekje të vazhdueshme për të mos dhënë përgjigje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për ta shtyrë këtë për një moment më të favorshëm gjeopolitik për Serbinë” – theksoi Maliqi.
Ai i referohet zgjedhjeve të vitit 2024 në SHBA, në të cilat pritet të garojë edhe ish-presidenti Donald Trump, administrata e të cilit ka pasur qasje më mbështetëse për Serbinë.
“Në çfarëdolloj skenari, Vuçicin e shoh duke e përdorur rezultatin e zgjedhjeve si pjesë të raporteve të tij me Perëndimin” – potencoi Maliqi