Connect with us

Aktualitet

‘Tani jemi miq…’/ Sherri mes dy biznesmeneve në Vlorë, ja si ndodhi konflikti

Një video u publikua gjatë ditës së sotme mbi një përplasje fizike mes Vasil Bedinit, pronar i një rrjeti hotelesh dhe restorantesh në Vlorë, dhe një tjetër biznesmeni, që zotëron motorë uji.

Nga video e publikuar, Bedini dhe personi tjetër duket se kanë pasur një debat verbal, që më pas precipiton, me goditje. Fillimisht Bedini godet me grusht personin tjetër në debat, i cili tenton të qëllojë me gur ndaj agresorit.

Video e publikuar u interpretua si një sulm që pronari i rrjetit të hoteleve kishte bërë ndaj një qytetari, i cili kishte shkuar me familjen për pushime.
Dhe si e tillë ngjarja solli reagime të shumta në rrjetet sociale, aq më tepër kur është kulmi i sezonit turistik.

Por disa orë pas shfaqjes së videos, të dy protagonistët e “sherrit” shfaqen bashkarisht në një tjetër video, krah për krah njëri-tjetrit, duke zbardhur atë që ka ndodhur.

“Përplasja nuk ka ndodhur sot, as dje, por një muaj e gjysëm më parë. Nuk jemi një pronar hoteli dhe një qytetar, por jemi të dy qytetarë. Nuk jemi një pronar hoteli dhe një turist, pasi turistët ne i kemi sipër kokës”, shprehet Bedini në reagimin e tij, duke dhënë mesazhin se gjithçka është sqaruar.

“Ne jemi dy komshinj, dy pronarë, kemi gabuar, jemi prej mishi dhe gjaku. Ne të dy po i shërbejmë atyre që zgjedhin Vlorën për të pushuar”, tha Bedini.

Në vijim ai shprehet se është sqaruar dhe të dy i kanë kërkuar falje njëri-tjetrit, ndërsa personi tjetër duket se zotëron një biznes “Jet Ski” pranë hotelit të Bedinit.

Ndërkohë, në një njoftim të Policisë së Vlorës thuhet se “Komisariati i Policisë Vlorë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. B., F. B. dhe M. R., pasi ditën e djeshme, në Radhimë, dyshohet se kanë goditur me grushte shtetasin D. B., për motive të dobëta. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin D. B. dhe punohet për kapjen e shtetasve A. B., E. B. dhe J. B., pasi dyshohet se gjatë konfliktit, kanë dëmtuar me mjete të forta, automjetin e shtetasit V. B”.

Advertisement