Bota
“Tani vëmendja kthehet te Gaza”/ Shefi i Shtabit të Izraelit: Fushata kundër Iranit vazhdon

Ndërsa armëpushimi i brishtë me Iranin që hyri në fuqi sot mbetet në fuqi, Shefi i Shtabit të Izraelit, Eyal Zamir, paralajmëron se konflikti me Teheranin nuk ka mbaruar dhe bën thirrje për vigjilencë.
“Pavarësisht arritjes së rëndësishme, ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Shumë sfida na presin. Ne duhet të mbetemi të përqendruar, nuk ka kohë për pushim”, tha Zamir gjatë një rishikimi operacional, sipas fragmenteve të publikuara nga ushtria izraelite.
Gjenerali izraelit theksoi se një kapitull i rëndësishëm në përballjen ushtarake me Iranin është përfunduar, por fushata nuk ka mbaruar.
“Po hyjmë në një fazë të re, duke u bazuar në arritjet e operacionit aktual. Ne e kemi vonuar programin bërthamor të Iranit me vite, dhe e njëjta gjë vlen edhe për programin e tij të raketave”, theksoi ai.
Vëmendja e Izraelit tani po kthehet në Rripin e Gazës, ku Zamiri deklaroi se përparësia e ardhshme strategjike është kthimi i pengjeve dhe përmbysja e sundimit të Hamasit.
“Tani përparësia është Gaza, kthimi i pengjeve dhe përmbysja e regjimit të Hamasit”, tha ai, duke sinjalizuar kalimin e operacioneve në një fazë të re, pas zhvillimeve të fundit në frontin me Iranin.

