Bota
Tarifat ndaj Evropës/ Trump i hapur për bisedime: Kush do diskutime pritet në Uashington

Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se është i hapur për bisedime me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë tregtarë përpara se tarifat që ai ka shpallur të hyjnë në fuqi. Ai vuri në dukje gjithashtu se zyrtarët evropianë priten në Uashington për bisedime.
“Ata do të donin të bënin një lloj tjetër marrëveshjeje dhe ne jemi gjithmonë të hapur për bisedime, përfshirë edhe me Evropën. Në fakt, ata do të vijnë këtu. Ata duan të diskutojnë”, tha Trump.
Të shtunën, presidenti amerikan njoftoi se do të vendoste tarifa prej 30% për shumicën e mallrave të importuara nga BE dhe Meksika, duke filluar nga gushti.
Më parë, presidenti amerikan nisi një sulm ndaj aleatëve dhe kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara, duke i akuzuar ata për shfrytëzimin e vendit në tregti dhe shpenzime ushtarake për dekada të tëra.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shkatërruar komercialisht (dhe ushtarakisht!) nga miqtë dhe armiqtë njësoj për dekada të tëra. Kjo ka kushtuar triliona dollarë dhe nuk është më e qëndrueshme – dhe kurrë nuk ka qenë”, tha Trump në një postim të ri në platformën Truth Social.
Ai u bëri thirrje gjithashtu qeverive të huaja të njohin nevojën për të ndryshuar qëndrimin amerikan, duke thënë se vendet duhet të ulen dhe të thonë: ‘Faleminderit për udhëtimin falas për kaq shumë vite, por ne e kuptojmë se tani duhet të bëni gjënë e duhur për Amerikën'”.
Ekonomia evropiane po përballet me sfida të reja, pas njoftimeve të reja të presidentit amerikan për të vendosur tarifa prej 30% nga 1 gushti, me ekonomistët që paralajmërojnë se ky veprim mund të shkaktojë tronditje në perspektivat e rritjes së Unionit.
Deri më tani, Evropa duket se po ndjek një qasje pritjeje dhe këmbëngul në negociata, duke shtyrë njoftimin e kundërmasave, me qëllim që të shmangë përshkallëzimin e luftës tregtare.

