Shkrime
Të gjitha rrugët të çojnë tek Sokol Sadushi, aty është edhe Dumani e Metani
Ka disa foto që qarkullojnë në internet që janë bërë në mënyrë krejt të papritur ushqim për politikën e ditës. Kryetari i Gjykatës së lartë Sokol Sadushi është fotografuar me shall të kuq në qafë në një aktivitet përkujtimor për Luftën e Dytë Botërore. Në krah të tij janë deputetë socialistë dhe të zgjedhur vendorë. Të tjera foto e tregojnë Sadushin me deputetë të PD-së, madje “skifterë” të mençur të rithemelimit. Kaq ka mjaftuar që po nga Rithemelimi, të tjerë “skifterë” të politikës të rimarrin në dorë flamurin e luftës ndaj institucionit. Duke thirrur madje në apel edhe kodin e etikës të KLGJ-së që e konsideron të papajtueshëm funksionin e gjykatësit me aktivitetet politike. Por a është kështu? A mund të kërkohet nga organet e drejtësisë të japin atë përgjigje të munguar prej tre dekadash e ca për qëndrimin ndaj Luftës së Dytë Botërore? A munden të japin ato “vendim” për këtë sherr të paprerë që e sheh luftën si pikë ndarëse dhe jo si vlerë, ku njëra palë, me orientimin e mençur antifashist të kohës përpiqet të justifikojë makabritetin e sistemit në gjysëm shekulli dhe pala tjetër, masakrimin çnjerëzor dhe kriminal të vuajtjeve gjysëm shekullore ta përdorë si alibi për zgjedhjen e gabuar gjatë luftës? A është fajtor Sadushi që nderoi atin e tij partizan dhe a do të quheshin të tillë ish-kolegët e Sadushit, njëra që nderon bashkëshortin e ekzekutuar, hero të demokracisë apo tjetri që nderon vëllanë martir të demokracisë, po në prani të personazheve politikë?
Ajo çka ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore dhe protagonistët e saj janë një nga pjesët më domethënëse të trashëgimisë së kohës moderne të gjithë njerëzimit. Lufta epike e vendeve të demokracive perëndimore, SHBA, Britania e Madhe, Franca, por edhe Shqipëria e vogël e modeste, pa përjashtuar kurrsesi as ish-Bashkimin Sovjetik, është një nga shembujt më të shkëlqyer të kurajos historike dhe sakrificës epike kundër nazifashizmit. Ajo rindërtoi themelet e të sotmes, gjithashtu të kërcënuar nga fashizmi i ri nacionalist rus. Por gjykimi i asaj që ka ndodhur 80 vjet më parë, duke u nisur nga pasojat katastrofike që prodhoi për gjysmën e globit që ra nën komunizëm, është një naivitet që e artikulon vetëm ekstremi i djathtë sot në Evropë dhe një pakicë revanshiste as e majtë e as e djathtë në Shqipëri. Tentativa e përsëritur dhe refreni qesharak i valëvitjes së flamujve të drobitur të ndasive të dikurshme që reken ta mbajnë ende Shqipërinë në llogoret e urrejtjes së Luftës së Dytë Botërore, nuk i shërben askujt. Madje ajo nuk i shërben as të vërtetës së thjeshtë që nuk ekziston më, me stilemën që ndan: socialistët si trashëgimtarë të ish-komunistëve dhe demokratët si flamurtarë të antikomunizmit. Sepse po të ishte për komunistët, ata feudalët e kuq dallkaukë të Enver Hoxhës, ata do të kishin pushkatuar të parin pa gjyq Edi Ramën, kryetarin e socialistëve, si tradhëtar ideologjik, kurse me të gjitha gjasat, Sali Berisha, kreu i demokratëve, do të ishte nga ana e kondakëve të automatikëve të skuadrës së pushkatimit.
Në fakt kjo është vetëm sipërfaqja. Thellë në logjikë, loja ka përmasë dhe natyrë krejt tjetër, të cilën as vetë një pjesë e lojtarëve nuk e kuptojnë. Ajo ka të bëjë në thelb me deligjitimin e sistemit të drejtësisë, një mulli me erë, krahët e të cilëve çojnë ujë vetëm në lumin e Ramës. Në thelb ai është rreshtimi grotesk në të njëjtin front të gjithë atyre që janë armiq me njëri-tjetrin në politikë, por përballë sistemit të drejtësisë shndërrohen në aleatë. Sepse i bashkon i njëjti hall!
I dyti është personazhi i heshtur, figura gati-gati mitike e Altin Dumanit, kreut të SPAK. Në mënyrë të pabesueshme, me ardhjen e tij në drejtim, së paku për një gjë të gjithë janë të sigurtë: Pandëshkueshmëria, kjo kulturë kriminale e ngulitur në vite që i kishte dhënë imunitet aktorëve politikë dhe kleptomanëve në rradhët e saj, tashmë ka dhënë shpirt. Nuk ka më të pandëshkueshëm në Shqipëri pavarësisht emrit dhe postit. I vetmi problem për momentin është që edhe ata që publiku i njeh padyshime si djaj, kanë të të drejtë për standartet më të larta të procesit të rregullt gjyqësor. Ajo çka po ndodh me vetë zotin Berisha është sinjali më i qartë se çfarë mund të ndodhë nesër me këdo tjetër. Sepse sa kohë që njeriu i hekurt i tranzicionit, u detyrua të shkojë si Çeçua nën SPAK dhe u shkul nga zyra e tij në parti, gjithë të tjerët mund të shkulen lehtësisht nga rrënjët si pushi i grave kur depilohen.
Gjithë pjesa tjetër është histori e përsëritur që të kujton atë parrullën e famshme të dikurshme të stalinistëve të djeshëm me teser që sot lexohet ndryshe: Mëkatarë të të gjitha ngjyrave, bashkohuni! Ngrihuni e bjerini Sadushit, Dumanit e Metanit se na morrën vilat tona! Nesër, kur metri katror i qelisë do të jetë shumë më i shtrenjtë se metrat e vilave dhe kilometrat e parave të grabitura, do të jetë vonë. Ndaj, bjeruni!