Kosova
Të gjithë kundër Albinit: Qëllimi i Prishtinës është të zvogëlojë numrin e serbëve në Kosovë
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se qëllimi i autoriteteve në Prishtinë është që të zvogëlohet sa më shumë numri i serbëve në Kosovë, të fshihet perspektiva e tyre dhe të ndërgjegjësohet se nuk ka mbijetesë për ta.
Në një intervistë për Veçernje Novosti, Daçiq ka thënë se këto janë synimet afatgjata të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk i kushton rëndësi marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut
Daçiq shtoi se ishte hera e parë që bashkësia ndërkombëtare doli në plan të parë kur Kurti duhej të bënte disa lëshime dhe të hiqte ndalimin e mallrave serbe dhe tha se Kurti e bëri këtë vetëm për shkak se bashkësia ndërkombëtare e shantazhoi me status në disa organizata rajonale.
Ai theksoi se pyetja e vetme tani është nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron të ushtrojë ndikim.
“Për herë të parë tani vendet perëndimore dhe lindore, Bashkimi Evropian, SHBA, Gjermania, Rusia dhe Kina po pajtohen me propozimet e paraqitura nga presidenti Aleksander Vuçiq”, theksoi Daçiq.
Duke iu referuar deklaratës së të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak , se Serbia e ka tërhequr letrën në të cilën është shkëputur nga pjesët e diskutueshme të Marrëveshjes së Ohrit, Daçiq tha se për këtë kishte dëgjuar nga raportimet e gazetave dhe se nuk kishte informacion, por theksoi se Serbia ka një politikë të qartë, dhe se do t’i zbatojë ato pjesë të marrëveshjes për të cilat është pajtuar.
“Ne nuk jemi pajtuar me pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me njohjen de jure dhe de facto, apo edhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Politika jonë nuk ka ndryshuar asnjë pikë gjatë gjithë këtyre viteve”, ka theksuar Daçic.