Connect with us

Politike

“Të ikurit” e Primareve/ Berisha i “mirëkupton”: Thelbi i lirisë, e drejta për të zgjedhur!

Procesi i Primareve nisi dhe përplasje brenda partisë dhe po vijon pa shumë emra “BIG”. Nga dje, deri sot, kanë njoftuar tërheqjen shumë figura të njohura të Partisë Demokratike, që rrjedhimisht nuk do të jenë më në Kuvendin e Shqipërisë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. I pari që njoftoi tërheqjen e tij ishte deputeti i qarkut dhe aktualisht drejtuesi politik i qarkut Shkodër, Helidon Bushati. Edhe pse ofroi mbështetjen e pakushtëzuar ndaj demokratëve, Bushati lajmëroi tërheqjen nga politika por nuk dha asrye konkrete për largimin e tij.

“Do të jem aty ku kam qenë gjithmonë, pranë Partisë Demokratike dhe demokratëve. Koherent në bindjet e mia, i palëkundur në vlerat për të cilat kemi luftuar, dhe plotësisht i angazhuar për ringritjen dhe fitoren që synojmë te gjithe per Partine Demokratike dhe liderin e saj Sali Berisha. Jam i bindur, më shumë se kurrë, se MODERNIZIMI dhe PERBASHKIMI janë çelësi i fitores. Ja kemi borxh fëmijëve tanë, ja kemi borxh historisë! Së bashku drejt fitores!,”-shkruan ndër të tjera Bushati.

Tërheqjen nga gara e primareve e ka njoftuar edhe Indrit Hoxha, aktualisht sekretar i Partisë Demokratike për Emigracionin dhe Diasporën thotë se ka një angazhim të ri në jetën e tij. Duke i ndarë kështu rrugët me politikën.

“Pas një reflektimi të thellë dhe me përgjegjësinë më të madhe ndaj jush dhe ndaj misionit tonë të përbashkët, kam vendosur që të mos jem pjesë e garës në primaret për kandidatët për deputet. Ky nuk është një tërheqje, por një angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të mbështetur çdo përpjekje që na çon drejt fitores. Unë mbetem i përkushtuar, krah jush, në këtë rrugëtim. Ftoj çdo demokrat të ngrihet, të angazhohet dhe të japë kontributin e tij për triumfin e Partisë Demokratike dhe për një të ardhme më të ndritur për vendin tonë. Koha për ndryshim është tani. Rotacioni politik nuk është thjesht një mundësi – është një domosdoshmëri për Shqipërinë,”-sqaron në postimin e tij Indrit Hoxha.

Largimin nga Primaret dhe rrjedhimisht edhe nga posti i deputetit e ka njoftuar edhe Ferdinand Xhaferaj. Ndryshe nga të tjerët, deputeti i qarkut të Durrësit në sqarimin e vendimit të tij theksoi se asnjëherë s’ka qenë dakord me Primaret. Ky proces sipas tij është përçarës dhe jo bashkues për demokratët. Në një intervistë për “Vizion Plus”, Xhaferaj tha se disa prej vendimeve më të rëndësishme i shërbejnë kryetarit të PD, Sali Berisha, por jo demokratëve.

“Mënyra se si janë marrë vendimet deri tani ka konfirmuar se i shërbejnë një agjende personale, nuk i shërbejnë një agjende për demokratët. Nuk kishte asnjë arsye që PD të binte dakord për një Kod Zgjedhor që 30% të listës e mban të mbyllur. 20 drejtues politikë që u caktuan pa asnjë lloj analize. Unë e kuptoj që në politikë duhet të funksionojë kriteri i besnikërisë, por ky nuk duhet të jetë përcaktues. Duhet të ketë edhe kritere të tjera, si kontributet, etj. Besnikëria ndaj kryetarit të partisë është kriter, nuk kam asnjë gjë kundër, por problemi që kam është se çfarë pakete tjetër kriteresh duhet të funksionojë që përzgjedhja të ishte më e mirë. Si mund të deklarosh për axhendën tënde personale: ‘Unë do e shkrij SPAK-un’? Kjo nuk ndihmon. Unë e mirëkuptoj, por Shqipëria e ka të domosdoshme ndryshimin dhe PD, kjo vlerë e Shqipërisë, e ka të domosdoshme të shprehet në institucione, sepse ngelëm 12 vjet rrugëve. Dhe këtu fillon e mbaron gjithçka,”- tha Xhaferaj.

Por ka edhe nga ata që lënë Berishën për të vijuar karrierën me forca të tjera politike. Ky është rasti i Gazment Koduzit. Ish-anëtari i Kryesisë së PD-së, përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se do të kandidojë në Tiranë, por me Partinë Euro-Atlantike të Lulzim Bashës.

“Duke besuar se angazhimi publik është përgjigja ndaj zgjidhjes së sfidave të shoqërisë dhe i bindur se vetëm shteti i së drejtës mund të hapë rrugën për një zhvillim të fortë e të qëndrueshëm, kam vendosur të kandidoj për deputet me Koalicionin Euroatlantik në Qarkun e Tiranës. Fushatat përgjithësisht kanë nevojë për programe ekonomike, për dallim në konceptimin e taksës. Ndërsa unë si ish student i dhjetorit ’90, si një mjek në profesion, si një pedagog, besoj se ajo që na duhet para së gjithave është të ndërtojmë një politikë që të rikthejmë dashurinë për këtë vend, të rikthejmë atë politikë që do ndihmojë të rinjtë të besojnë se e ardhmja mund të ndërtohet këtu, dhe me dashuri për njeri tjetrin. Ne duhet të bëjmë shqiptarët të besojnë se ky vend nuk do duhet lënë në duart e atyre që me politikat e tyre të derisotme kanë shpopulluar këtë vend të begatë, që Zoti i ka dhënë gjithçka për të ecur, për të përparuar me dinjitet,”-shkruan ai.

Të gjitha largimet i ka komentuar edhe vetë kryedemokrati Sali Berisha. Gjatë një konference për mediat sot, Berisha tha se vlerëson lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur. Përgjigjen e tij, Berisha e ka rrotulluar të gjithën rreth konceptit të tij për lirinë.

“Së pari unë shpreh konsideratat e tyre për dy deputetët, rolin e tyre, kontributet e tyre të pamohueshme në PD dhe garantoj se, unë bashkëpunimin me ta sot dhe në të ardhmen e konsideroj të çmuar. Po kështu, edhe për cilindo që merr këtë veprim. Këta dy deputetë dhe të tjerë kanë pasur dhe kanë besimin e plotë të Sali Berishës, por një gjë, e kam përsëritur dhe dua ta përsëris; edhe në thellësitë e territ të diktaturës, për mua liria ka qenë e drejta për të zgjedhur atë që do individi. Thelbi i lirisë është e drejta e zgjedhjes dhe për fat të mirë e kam shkruar dhe në atë kohë kur filozofia ekzistencialiste konsiderohej një nga më reaksionaret e kohës. Por unë i besoj atij parimi,”- u shpreh Berisha.

Në Primaret e 1 marsit do të jenë 300 pjesëmarrës nga Partia Demokratike. Mësohet se afati për dorëzimin e kandidaturës për të marrë pjesë në garë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka përfunduar zyrtarisht. Ndërsa, Komisioni i Zgjedhjeve i PD-së është mbledhur për të shqyrtuar kandidatët, sipas dokumentacionit që ata kanë dorëzuar. Pritet që lista e tyre të miratohet në ditët në vijimin në mbledhjen e grupit të deputetëve të opozitës. Kryedemokrati Sali Berisha nuk e ka bërë të qartë nëse rezultati do të merret parasysh për listat zgjedhore, por ka lënë të nënkuptohej se do të ketë një fazë tjetër përzgjedhjeje për të hartuar listën shumëemërore të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit.

Advertisement