Aktualitet
Të moshuarit do marrin pensionin e 13-të, përfituesit sipas kategorive

Të moshuarit shqiptarë do të përfitojnë pensionin e 13-të. Ky është një nga objektivat kryesorë të përfshirë në Dokumentin Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025-2030, i cili është miratuar nga qeveria ditën e djesheme si draft. Ky plan thuhet në dokument synon që ky objektiv të realizohet brenda vitit 2030.
Plani do të përgatitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e UNFPA dhe në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin.
Në fokus të dokumentit është reformimi i skemës së pensioneve në Shqipëri. Qeveria parashikon rishikimin e moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë, si dhe ndryshimin e formulës së përllogaritjes. Një tjetër pikë kyçe është indeksimi i diferencuar i pensioneve, ku synohet për të siguruar rritje reale të të ardhurave të kësaj shtrese.
Nga ana tjetër është parashikuar rritja në masën 50% e pensionit mesatar, ndërsa numri i përfituesve të pensionit social do të dyfishohet, duke përfshirë më shumë qytetarë që aktualisht janë jashtë skemës. Një tjetër hap konkret do të jetë firmosja e Marrëveshjes së Pensioneve me Greqinë, duke zgjidhur një çështje të vonuar për mijëra pensionistë shqiptarë që kanë kontribuar në shtetin fqinj.
Censusi i fundit i vitit 2023 tregon se 1 në 4 qytetarë në Shqipëri është mbi 60 vjeç, një shifër që pritet të rritet më tej në vitet në vijim. Aktualisht, vendi numëron 721 mijë pensionistë, nga të cilët 607 mijë janë pensionistë pleqërie.
Plani i ri për moshimin është ndërtuar mbi parime si të drejtat e barabarta, integrimi social, përmirësimi i kujdesit shëndetësor, garantimi i aksesit në shërbimet sociale dhe mbështetja institucionale. Qeveria paralajmëron më shumë informim dhe ndërgjegjësim për qytetarët, sidomos në lidhje me përfitimet që ofron skema e pensioneve dhe rëndësinë e kontributeve në sistemin e sigurimeve.

