Aktualitet
‘Të na japin shpërblimin që na takon’, paraplegjikët sërish protestë në Durrës
Ditën e sotme, shoqata e paraplegjikëve doli në protestë në Durrës, për shkak të pagesave të pa marra nga viti 2005 deri në 2010. Ata u shprehën se kanë kërkuar reagimin edhe të bashkisë, ku si zgjidhje u është propozuar zgjidhja e çështjes në gjykatë.
Sokol Murataj, kryetari i Shoqatës u shpreh:
“Ne i kërkuam pagesën e 2005-ës deri në 2010-n, ndërsa na u tha se ju keni të drejtë, në momentin që ju do ta fitoni gjyqin unë jam gati t’ju ndihmoj nëpërmjet ministrisë që ju të merrni paratë. Në qoftë se ju nuk do të ketë një vendim gjykate nuk kam çfarë t’ju jap, se nuk kam ku t’i marr paratë”.
Të revoltuar kërkojnë edhe rishikimin e shumës që marrin duke e konsideruar pensionin tejet të ulët.
“Jam invalid dhe nuk punoj dot”, thotë një protestues.
“Të na japin shpërblimin që na takon nga shteti i madh”, thotë një qytetare.
Pas protestës anëtarët e shoqatës do të vendosin edhe se si do të veprojnë më tej.