Connect with us

Bota

‘Të ndalohet vdekja e fëmijëve’/ Ish-Presidenti Obama kritikon veprimet e Izraelit në Gaza

Ish-Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka kritikuar ashpër veprimin e vazhdueshëm ushtarak të Izraelit në Gaza, duke deklaruar se bombardimet e mëtejshme nuk kanë më një arsyetim ushtarak dhe duke kërkuar një zgjidhje që përfshin shtetësinë palestineze.

“Nuk ka një arsye ushtarake për të vazhduar të goditet ajo që tashmë është rrënojë”, tha Obama gjatë një aktiviteti publik në Dublin. Ai theksoi se është urgjente të ndalohet vdekja e fëmijëve nga uria dhe të adresohet kriza humanitare në Gaza.

Obama kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të mbështesë një zgjidhje me dy shtete, ku Palestina të ketë autonomi dhe të ekzistojë krah për krah me një Izrael të sigurt. Ai kritikoi liderët politikë që, sipas tij, kanë interesa për të mbajtur gjallë ndarjen “ne kundër tyre”, duke përfshirë edhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

“Unë dhe kryeministri i Izraelit, i cili është ende atje, nuk ishim miqtë më të mirë”, tha Obama, duke përmendur tensionet që e kanë karakterizuar marrëdhënien e tyre gjatë kohës kur ai ishte në detyrë.

Megjithatë, ai denoncoi gjithashtu edhe veprimet e Hamasit, duke i cilësuar si “kulmi i cinizmit”.

Ndërkohë, Netanyahu ka reaguar ashpër ndaj njohjes së fundit të shtetësisë palestineze nga disa vende perëndimore, duke akuzuar liderët ndërkombëtarë se po i nënshtrohen “presionit të mediave të anshme” dhe “elektoratit radikal islamik”.

Situata në Gaza vazhdon të përshkallëzohet. Sipas OKB-së, më shumë se 600,000 palestinezë janë zhvendosur nga qyteti i Gazës pas fillimit të ofensivës tokësore nga Izraeli në fillim të muajit. Plani izraelit për pushtimin e qytetit është cilësuar si një rrezik i madh për më shumë se një milion banorë.

Në një zhvillim paralel, administrata Trump ka paraqitur një plan paqeje me 21 pika për t’i dhënë fund konfliktit. Presidenti Trump, i cili gjithashtu ka shprehur pakënaqësi ndaj Netanyahu-t, tha se nuk do të lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor.

Advertisement