Connect with us

Kosova

Të përçarë edhe në ShBA/ Osmani vetëm, Kurti e Gërvalla bashkë, përse?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para pak ditësh ka udhëtuar për në Neë York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së. Ndërkohë, Vetëvendosje e Guxo në anën tjetër, kanë paralajmëruar një vizitë të kryeministrit Albin Kurti e zëvendëskryeministres në ShBA, ku do të marrin pjesë në dy tubime publike të kësaj partie.

Presidenca ditë më parë dha detaje rreth agjendës së Osmanit atje:

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në New York, ku në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete tjera zyrtare.

Përgjatë kësaj vizite, Presidentja në takime me homologët e saj do të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të saj, si dhe thellimin e raporteve me shtete të tjera në përfitim të qytetarëve tanë. Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate”.

Nga partia në pushtet, kanë bërë me dije se Kurti e Gërvalla përveç qëndrimit në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të kenë edhe dy tubime politike të partisë.

Nuk dihet nëse Kurti e Gërvalla kanë udhëtuar për në ShBA, pas vizitës së paralajmëruar. Në anën tjetër, presidentja ka publikuar pamje nga disa vizita atje.

Tashmë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ajo e Guxo kanë njoftuar se do të jenë bashkë në procesin e ardhshëm zgjedhor, ani se nuk kanë bërë koalicion parazgjedhor.

Krejt këto vizita, vijnë në një kohë përplasjesh publike të Presidencës dhe Qeverisë, e cila nisi me letrën e dërguar në Këshillin e Evropës rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Këto zhvillime, kanë nisur të komentohen edhe në rrjete sociale.

Ish-deputeti i VV-së dhe analisti Afrim Kasolli, ka ironizuar duke thënë se derisa presidentja po “pozon” për disa foto, tandem Kurti-Gërvalla për ta rivalizuar kanë udhëtuar për tubime partiake.

“Pasi presidentja paska shkuar ne Amerike ne kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së, vend nga u cili edhe po i pozon disa foto, atëherë per ta rivalizuar ate edhe tandemi Kurti-Gervalla, paskan udhëtuar përtej brigjeve Atlantikut per tubime partiake, sa per t’ia deshmuar asaj se edhe keta dy do te kene aktivitete ne shtetin me fuqishem me bote.” – ka shkruar ai.

Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, ka ngritur pikëpyetje duke marrë parasysh situatën në të cilën ndodhen marrëdhëniet e Kosovës me ShBA.

“Cfare i ndododhi udheheqjes tone antiamerikane qe kane marre vrap ne Amerike – tash kur i prishen marredheniet me ta mire eshte ta marrin vrapin ne opozite qe te ndalet deshtimi i Kosoves..” – ka shkruar ajo në Facebook.

Borrell organizon drekë

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell të mërkurën në Neë York, pret në një drekë pune liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Evropian.

Kjo është bërë me dije nga Komisioni Evropian, përmes një komunikate ku kanë njoftuar në lidhje me aktivitetet e BE-së në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Të mërkurën, përfaqësuesi i Lartë, Borrell do të presë gjashtë liderë nga Ballkani Perëndimore në një drekë tradicionale pune…” – thuhet mes tjerash në njoftim.

Ndërkaq, fokusi i angazhimit të BE-së, siç bëhet me dije, do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në mbarë botën.

Advertisement