Kulture

“Të rinjtë dhe leximi”

Në kuadër të 8 Dhjetorit “Ditës së Rinisë”, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar një takim me të rinj me temë: “Të rinjtë dhe leximi”. Të pranishëm në aktivitet ishin Ministrja e Kulturës, Znj.Elva Margariti, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj.Evis Kushi, Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Znj.Alda Bardhyli dhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi.
Gjatë fjalës së hapjes së ceremonisë, Drejtoresha e QKLL, Znj.Alda Bardhyli tha: “Lëvizja studentore e vitit 1990 do të ndryshonte historinë e Shqipërisë, duke i hapur rrugë një sistemi të ri vlerash e demokracie të cilën e jetojmë sot.Tre dekada më vonë ka ardhur koha për një tjetër lëvizje në shërbim të një shoqërie e atdheu më të mirë; ajo përmes librit dhe leximit. Ka ardhur koha që Shqipëria tu bashkohet vendeve që kanë një Ligj për leximin. Qëndra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të bashkëpunojë me Minisrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës dhe specialistë të fushës që të përgatisë gjatë vitit 2021 një projekt-ligj për leximin. Ligji i leximit më shumë se sa si detyrim në vetvete, do të jetë nxitës për të rikthyer dashurinë për librin e leximin, kënaqësinë e kahershme që gjenin brezat në të dhe librin si partner i domosdoshëm në formimin e brezave.”
Në fjalën e saj Ministja e Kulturës, Znj.Elva Margariti, u shpreh: “Takim i sotëm i paraprinë 8 dhjetorit, e cila nuk është thjeshtë një datë për tu kujtuar por një moment përgjegjësie për të gjithë ne, ku të rinjtë morën në dorë timonin e një anije të dalë nga një diktaturë pesëdhjetëvjeçare dhe kthyen aty ku ajo kishte drejtimin e saj, në Europë. Jo gjithmonë mund të ndërtojmë një të ardhme për të rinjtë, por mund të ndërtojmë të rinjë për të ardhmen. Ne kemi përgjegjësinë për të rinjtë që ti çojmë përpara pishtarin e asaj dite. Këtë përgjegjësi Ministria e Kulturës e ka marrë edhe me moton Edukimi Përmes Kulturës, i cili prek çdo sektor të artit dhe të kulturës, çdo institucion që zhvillon aktivitete dhe ka në gjirin e tij të rinjtë.”
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj.Evis Kushi theksoi: “Pjesë e debatit nuk duhet të jenë çështje të tipit a është i rëndësishëm leximi apo jo sepse kjo nuk ka diskutim. Ajo që ne duhet të diskutojmë dhe të punojmë akoma më shumë është për të gjetur se çfarë strategjie, politikash, instrumentash duhet të përdorim që leximi të bëhet më shumë pjesë e jetës së nxënësve në shkolla por edhe të rinjve e të rejave, sidomos sot kur teknologjia dhe globalizimi e bën akoma më të vështirë këtë sfidë. Sfida jonë është që të gjejmë një ekuilibër të përshtatshëm për të rinjtë dhe të rejat, ku përveç librit elektronik, përveç internetit, t’i japim peshën e duhur leximit të drejtëpërdrejtë.”
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij tha: “Është një kënaqësi e veçantë për Muzeun Historik Kombëtar, që për këtë ditë të veçantë si 8 dhjetori, të kemi së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit një bashkëpunim të ngushtë për hartimin e një strategjie duke e vënë theksin në atë që ne si një institucion i historisë kombëtare e kemi më përzemër, në leximet historike për sa i përket të shkuarës së Shqipërisë sepse ato në fakt formojnë atë që quhet zemra dhe palca e identitetit shqiptar. Duke ju bashkangjitur nismës së Ministrisë së Kulturës “Pakti për Universitetin”, Muzeu Historik Kombëtar do të realizojë marrëveshjen me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku biblioteka e Muzeut Historik Kombëtar të jetë një bibliotekë e hapur për studentët për realizimin e detyrave dhe temave të ndryshme universitare. Ne jemi gjithashtu në përfundim të rishkrimit të guidës së Muzeut Historik Kombëtar duke e përshtatur atë më mirë për fëmijët. Duke qenë se jemi duke folur për leximin, Muzeu Historik Kombëtar ka përgatitur dhe numrin më të fundit të revistës “Studime Muzeologjike”, e cila do t’i shpërndahet dhe të pranishmëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version