Connect with us

Bota

“Të rinjtë janë në rrezik”, Europol ngre task-forcën e re: Rrjetet kriminale po përdorin adoleshentët

Europol përmes një deklarate të publikuar në faqen e tyre, ka njoftuar se ka krijuar një task-force të re për të goditur krimin e organizuar. Task Forca Operacionale e re, e njohur si “OTF GRIMM”, drejtohet nga Suedia dhe përfshin agjenci ligjzbatuese nga Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda dhe Norvegjia. Qëllimi i saj është të godasë rekrutimin e të rinjve në krime të tilla si trafiku i drogës, mashtrimet online, sulmet kibernetike dhe zhvatjet me dhunë. Europol njofton se grupet kriminale po përdorin metoda të reja për të rekrutuar të rinjtë, përmes internetit, ku ata rinjtë udhëzohen nga anëtarët e rrjeteve kriminale. Në disa raste, ata detyrohen të kryejnë edhe vrasje si pjesë e angazhimit të tyre.

Këta të rinj përdoren si “mburojë” nga krerët e rrjeteve, duke u bërë pengesa të dobishme mes autoriteteve dhe organizatorëve kryesorë, të cilët në këtë mënyrë shmangin identifikimin dhe ndëshkimin.

“Kriminelët i shohin të rinjtë si të zëvendësueshëm dhe me rrezik të ulët. Ata shfrytëzohen për të kryer krime pa u ekspozuar strukturat drejtuese të organizatave”, thuhet në deklaratën e Europol

Në të njëjtën kohë, agjencia europiane e sigurisë ka publikuar një listë sinjalizimesh për prindërit, duke i këshilluar të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në sjelljen e fëmijëve:

-Përdorimi i aplikacioneve të koduara të komunikimit, pa shpjegim të qartë.

-Sjellje të reja dhe ndërrim vlerash pa arsye të dukshme.

-Gënjeshtra të shpeshta ose shmangie pyetjesh.

-Shoqëri të reja me persona më të rritur, që nuk janë të njohur për familjen.

-Objekte të reja (rroba, teknologji, para) pa burim të qartë.

-Mungesë nevoje për para, ndonëse kanë burime financiare të pashpjeguara.

-Largim nga rutina e përditshme – braktisje e shkollës, interes i ulët për hobet apo miqtë e mëparshëm.

Europol apelon për ndërgjegjësim të gjerë dhe bashkëpunim ndërinstitucional për të mbrojtur të rinjtë nga rrathët e krimit të organizuar dhe për të çrrënjosur këtë rrezik në rritje që po kërcënon të ardhmen e tyre

Advertisement