Aktualitet
Të rinjtë largohen me gomone, Mbretëria e Bashkuar projekt në Kukës
Gjatë tri viteve të ardhshme në bashkinë e Kukësit do të zbatohet një projekt i financuar nga Mbretëria e Bashkuar. Projekti ‘Prespektiva të Reja në qarkun e Kukësit’ zbatohet nga Swisscontact, në partneritet me TAG dhe ka për qëllim të ndihmojë qytetarët që emigrojnë në mënyrë të jashtëligjshme drejt Anglisë, që të punojnë dhe zhvillohen në qytetin e tyre.
Projekti, që u prezantua në Kukës me praninë e ambasadorit britanik në vendin tonë, Alastair King-Smith, bashkëpunon me qeverisjen në nivel lokal dhe kombëtar dhe ndihmon autoritetet vendore të zhvillojnë plane dhe të krijojnë një mjedis më të favorshëm për zhvillimin ekonomik lokal, për të shfrytëzuar potencialin e plotë të rajonit të Kukësit.
“G swisscontact do të punojë me bizneset lokale për të ofruar mundësi për (vetë) punësim ose trajnimin e njerëzve në sektorë inovative që lejojnë punën në distancë, për shembull në IT. Do të mundësojë lidhjen efikase të bizneseve me institucionet mikrofinanciare, do të forcojë mundësitë për investime në rajon dhe do të përmirësojë mjedisin e biznesit në rajon. Projekti përshtat një qasje gjithëpërfshirëse për të kuptuar dhe adresuar çështjet kyçe që ndikojnë në vendimet e njerëzve dhe familjeve për të emigruar në mënyrë të parregullt. Projekti do të punojë për të identifikuar mundësitë e biznesit dhe punësimit në rajon, ndër të tjera në sektorin e (agro) turizmit, bimëve mjekësore, përmirësimin e agro-përpunimit ose shërbimet e bazuara në TIK. Ai synon të nxisë sipërmarrjen lokale, të forcojë bizneset lokale dhe të përmirësojë sistemet e tregut”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Ky projekt synon gjithashtu të rrisë punësimin e njerëzve të cilëve aktualisht u mungojnë aftësitë ose aksesi në punësim ose vetëpunësim. Në fokus janë veçanërisht të rinjtë, që shpesh zgjedhin të largohen nga vendi dhe të emigrojnë drejt Anglisë ilegalisht.