Politike
Te Shehaj çuam 10 nga tanët/ Lapaj i përgjigjet Mërtirit pse nuk bashkohen partitë e reja
Analisti dhe sociologu Ergys Mërtiri, pyeti kreun e partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, që po proteston prej disa javësh para kryeministrisë se pse partitë e reja nuk bashkohen me të në shesh.
Lapaj tha se partitë e reja duhen bashkuar kundër qeverisë dhe se ai e ka dhënë mesazhin.
Biseda
Mërtiri: Ti ke ftuar të tjerët, por në fund nuk ndodh një bashkim. Cili është hapi konkret ose duhet të shpallësh edhe ti një tryezë, ose kur të bëjnë ata një protestë shko ti. Pse ju të rinjtë nuk bëheni bashkë që ju të rinjtë the se jeni stad tjetër, kundër Rama-Berisha dhe jo duke shtirë pushkë në bajrakun e vet.
Lapaj: Ju keni qenë këtu dhe ju falenderoj. Ju keni qenë si qytetar i lirë, kundër të keqes. Nuk keni gjetur një flamur partie, por një flamur kombëtar dhe mbështetje ndaj drejtësisë. Nuk kemi akuzuar askënd. Ne kemi qenë shumë korrektë. Kur erdhën protestuesit e partisë së Shehajt, rreth 60, dërguam një përfaqësi 10 pjesëtarë që ishim në shesh, shkuan dhe iu bashkëngjitën protestës. Ne e kemi dhënë atë mesazhin tonë. Ajo që duhet të na bashkëkojë është nevoja e përbashkët kundër këtij sistemi të keq, që është më e madhe se gara mes njëri-tjetrit. Ka një kohë për partinë dhe ka një kohë për Shqipërinë. Kjo është kohë për shqipërinë. Po u themi të gjithëve: hajdeni në shesh!
Mërtiri: Unë të tilla i dëgjoj edhe te të tjerët.
Lapaj: Jo, nuk i thonë. Të vijnë në shesh.
Mërtiri: I ke marrë në telefon?
Lapaj: U kam dërguar sekretarin e Përgjithshëm. Nuk duhet që bashkohemi ne të dy, por të gjithë.
Mërtiri: Është e rëndësishme që ju që jeni antisistem të jeni bashkë, për të rrëzuar Ramën.
Lapaj: Më vjen keq, po më kërkon llogari për një gjë për të cilën jam dakord me ty.