Politike
Tedi Blushi: Rama i ka shpatullat e brishta, nuk do e gëzoj këtë mandat

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilësoi si terrorizëm elektoral procesin zgjedhor të 11 majit, duke i përshkallëzuar në këtë mënyrë gjuhën e opozitës për zgjedhjet parlamentare.
I ftuar në Debat, Blushi renditi të gjitha shkeljet të cilat sipas tij bëri mazhoranca, duke bashkëpunuar me krimin.
“Ne kishim bërë një vlerësim mbi integritetin dhe atë që përfaqësonin kandidatët tanë, duke nisur nga Meta. Kishim personalitete, figura me integritet, që kanë qenë shembull. Kjo nuk ishte çështje parashikimi. Besonim se zgjedhjet do të ishin të lira dhe të ndershme.
Ajo që ndodhi në 11 maj është dhe një çështje evropiane. Besoj jeni njohur me rezolutat e fundit që vërtetojnë denoncimet se 11 maji nuk ishte veçse një terrorizëm elektoral. Ta quash farsë, e zbut këtë krim që nisi me trenin bullgar dhe që shkatërroi standardet.
U përfshinë bandat, si terroristë elektoralë. Në Vorë qendrat e votimit ishin marrë peng nga bandat. Ne pasi u njohëm nga mediat shkuam atje dhe rezultoi e vërtetë. Nuk pati asnjë polic, asnjë hetues BKH.
KQZ kishte pajisur banditët me bexhe. U ngrit një task force nga SPAK dhe ende sot nuk ka një nisje hetimi për ata banditë. Nuk ka nevojë për hetim të thelluar, pasi krimet më të shëmtuara, për Dumanin, janë krime intelektuale”, tha Blushi.
Më tej, Blushi shtoi se masakra zgjedhore tashmë ka mbërritur dhe në dyert e evropian, teksa u shpreh i bindur se Edi Rama nuk do ta gëzojë mandatin e katërt qeverisës.
“5 rezolutat nuk janë individuale, por vullnete politike. Këto zgjedhje nuk mund të pranohen. Rama nuk do ta gëzojë këtë mandat. Nuk mund ta mbajnë shpatullat e tij edhe këtë krim të rëndë. Shpatullat e tij janë të brishta. Tradhtinë e lartë që ndodhi me djegien e mandateve…
Është ajo që e çoi vendin në këtë situatë. Kjo është një mundësi që Ramës të mos i lemë asnjë hapësirë bosh dhe mandatet tona do të jenë me një mision kombëtar për të çmontuar provat dhe faktet që po dalin çdo ditë”, tha Blushi.

