Bota
Tensione në Vatikan: Luftë e ashpër për Papën e ri, ultrakonservatorët në “sulm”

Me fillimin e Konklavës më 7 maj, që do të zgjedhë Papën e ri pas vdekjes së Papa Françeskut, tensionet brenda hierarkisë së Kishës Katolike janë intensifikuar. Një rrymë ultra-konservatore, me lidhje të forta me qarqe politike të ekstremit të djathtë në Shtetet e Bashkuara, po shton përpjekjet për të ndikuar drejtpërdrejt zgjedhjen e pasardhësit të PapaFrançeskut, përmes një fushate të paprecedent.
Këto grupe shpresojnë të shohin një Papë më tradicional, që do të përqendrohet në çështje si aborti, familja dhe ruajtja e identitetit të krishterë, dhe jo në temat që shënuan pontifikatin e Papa Françeskut, si mbrojtja e emigrantëve, dialogu me botën moderne dhe marrëveshjet diplomatike si ajo me Kinën.
Fushata është përqendruar në diskreditimin e kandidatëve të moderuar, si Kardinali Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit të Vatikanit dhe një nga favoritët për papatin. Përmes projekteve të financuara nga organizata të fuqishme konservatore si Sophia Institute Press dhe Instituti Napa, janë përdorur taktika që përfshijnë përpilimin e dosjeve komprometuese, publikime nënkuptuese në media konservatore katolike dhe sulme personale në rrjetet sociale.
Një shembull është përdorimi i një videoje të vjetër të Kardinalit Luis Antonio Tagle, një tjetër kandidat i mundshëm, i cili shfaqet duke kënduar këngën “Imagine” të John Lennon, që u paraqit si “provë” e prirjeve jofetare.
Politico ka publikuar dhe emrat që promovohen nga fraksioni konservator, të cilët janë:
Kardinalin Robert Sarah (Guinea), një figurë e njohur për mbështetjen e liturgjisë tradicionale në latinisht;
Peshkopi Athanasius Schneider (Kazakistan), i njohur për retorikën e ashpër anti-emigracion dhe kundër Islamit;
Kardinalin Raymond Burke (SHBA), një aleat i deklaruar i Donald Trump dhe kritik i vazhdueshëm i Françeskut.
Megjithatë, shumica dërrmuese e 137 kardinalëve votues, rreth 80%, janë emëruar nga vetë Papa Françesku dhe mbajnë pozicione më të moderuara. Kjo e bën të vështirë, në praktikë, zgjedhjen e një figure nga krahët ekstreme të Kishës.
Grupet si “Catholics for Catholics” kanë bashkëpunuar me figura të njohura të së djathtës amerikane dhe kanë financuar evente luksoze për të ndikuar opinionin publik dhe vendimmarrësit brenda Kishës. Fushatat përmes mediave si EËTN apo blogje si OnePeterFive janë kthyer në instrumente presioni mbi kardinalët.
Një raport i Reuters tregon gjithashtu për vështirësitë financiare të Vatikanit, me një deficit prej 83 milionë euro. Sipas burimeve të brendshme, frika ekziston se kjo mund ta bëjë Selinë e Shenjtë më të hapur ndaj ndikimit të donatorëve të pasur konservatorë.
Vëzhguesit e Vatikanit janë të mendimit se, megjithë zhurmën dhe fushatat e jashtme, konservatorët nuk i kanë numrat për të zgjedhur Papën e tyre ideal dhe as për të bllokuar një kandidat reformist.
“Është më shumë një luftë psikologjike sesa reale,” thotë gazetari veteran Marco Politi. “Mesazhi që përpiqen të përçojnë është: ‘Mos guxoni të zgjidhni një tjetër si Françesku.’”
Në fund, kur dyert e Kapelës Sistine të mbyllen dhe votimi të fillojë, fati i Kishës do të jetë në duart e atyre që nuk do të ndikohen më nga asnjë zë i jashtëm.

